Pas 11 zyrtarëve të shtetit të arrestuar të mërkurën për dyshimet për marrie ryshfeti lidhur me subvencionet në bujqësi, të enjten janë arrestuar edhe nëntë persona të tjerë, por nën dyshimin për dhënie të ryshfetit për të marrë subvencionet nga Ministria e Bujqësisë.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, të dyshuarit janë qytetarë të komunave të ndryshme. Në koordinim me prokurorin e rastit, ata janë intervistuar dhe janë liruar për procedurë të rregullt.
Të arrestuarit janë: tre nga Istogu, dy nga Lipjani, një nga Ferizaj, një nga Prishtina dhe dy nga Peja.
Sot KOHA publikoi fotografi të cilat shfaqnin zyrtarë të shtetit që merrnin para.
Dje është zhvilluar një aksion në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë nga i cili janë arrestuar 11 persona për keqpërdorim të subvencioneve dhe ryshfet. Të arrestuarit të premten do të dalin para gjyqtarit në seancën për caktimin ose jo të masës së paraburgimit.