Kina bëhet partnerja më e madhe tregtare e BE-së, ia zë vendin ShBA-së

Kina është bërë partnerja më e madhe tregtare e Bashkimit Evropian, duke ia marrë këtë epitet Shteteve të Bashkuara.

Tregtia e jashtme e Kinës u zgjerua, ndonëse shumica e partnerëve në Evropë u prekën nga pandemia e koronavirusit, shkruan BBC.

Tregtia mes Kinës dhe Bashkimit Evropian arriti vlerën e 709 miliardë dollarëve vitin e kaluar, në krahasim me tregtinë prej 671 miliardë dollarëve mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Reklama e sponzorizuar

Ndonëse ekonomia e Kinës u prek nga pandemia në çerekun e parë të vitit të kaluar, ajo u rimëkëmb më vonë gjatë vitit, duke ndikuar në rritjen e kërkesës për mallrat nga BE-ja.

Kina ishte ekonomia e vetme në mesin e ekonomive të mëdha që shënoi rritje vitin e kaluar, duke bërë që të ketë kërkesë të shtuar për vetura dhe mallra luksoze nga Evropa.

“Në vitin 2020, Kina ishte partnerja kryesore tregtare për BE-në. Ky rezultat erdhi për shkak të rritjes së importeve për 5.6 për qind dhe rritjes së eksporteve për 2.2 për qind”, tha zyra e BE-së për statistika, Eurostat.

Gjatë vitit të kaluar u rrit edhe deficiti tregtar i Bashkimit Evropian me Kinën, duke shkuar nga 199 miliardë dollarë në 219 miliardë, sipas shifrave zyrtare të Eurostat-it.