Kosova ende nuk ka datë se kur pritet të fillojë vaksinimi

Kosova nuk do të mund t’i ketë në dispozicion as dozat e vaksinës anti-COVID të premtuara nga Shqipëria. Kryeministri Edi Rama, ka thënë se shkaku i kontratës me kompaninë Pfizer, ata nuk mund ta transportojnë vaksinën në një vend tjetër.

“Gjë që duhet të behet këtu në Shqipëri dhe për këtë i kam kërkuar ministrisë së shëndetësisë të komunikoj më homologun kosovar, dhe atëherë kur miqtë tanë të vendosin ne jemi të gatshëm t’i mirëpresim menjëherë si fillim 50 bluza të bardha për të dyja doza”, ka thënë Rama.

Por, në lidhje me këtë dhe nëse Kosova do të dërgojë staf mjekësor për t’u vaksinuar në shtetin shqiptar nuk janë përgjigjur zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Reklama e sponzorizuar

E paqartë vazhdon të mbetet ende nëse Kosova ka siguruar mbi 350 mijë doza të vaksinës nga kompania Pfizer, ashtu siç është thënë muaj më parë.

Në një përgjigje me shkrim nga kjo kompani, dërguar KOHËS thuhet se janë në diskutime me Qeverinë e Kosovës për të siguruar qasje në vaksinë, por që nuk kanë asgjë për të njoftuar tani.

“Pfizer dhe BioNTech janë të përkushtuar për të sjellë këtë vaksinë për të ndihmuar në përmbushjen e nevojës globale të shëndetit publik. Ne jemi në diskutime me Qeverinë në Kosovë për të siguruar qasje në vaksinë. Diskutimet me Qeverinë janë konfidenciale dhe nuk kemi asgjë për të njoftuar në kohën e tanishme”, thuhet në përgjigjen e “Pfizer & BioNTech”.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, edhe njëherë ka përmendur muajin shkurt, si periudhën kur pritet të vijnë vaksinat, e që sipas tij, do të vaksinohen më shumë se 75%.

“Sipas planit të imunizimit dhe atë që ka përcaktuar IKShPK-ja ne pretendojmë që të vaksinojmë më shumë se 75% të popullatës dhe kjo nënkupton 2 milionë e 700 mijë doza për vaksinim në faza të ndara dhe me sigurimin e kushteve dhe kritereve që duhet të përmbajë përdorimi i një vaksine shpresojmë që kjo dinamikë do të plotësohet në komplet vitin 2021. Por ne do të fillojmë me grupe të cilat konsiderohen pjesa e moshuar, të sëmurët konik dhe personeli shëndetësor”, ka pohuar Zemaj.

Muaj më parë u përmendën se edhe 360 mijë vaksina do të jenë në dispozicion nga mekanizmi COVAX, i cili siguron vaksina falas për shtete me ekonomi të dobët, e nga ky mekanizëm nuk janë përgjigjur gjatë së martës.

Institucionet kanë thënë se kanë arritur që edhe përmes Austrisë të sigurojnë disa doza të vaksinës nga kompania e vaksinës CUREVAC, kompani që ende nuk është licensuar.

Megjithatë, në ditët e fundit, vërehet rritje e numrit të testimeve në Kosovës, e që sipas drejtorit të IKSHPK-së, në këtë institucion nuk ka më ngarkesë të madhe shkaku se tashmë kanë filluar punën qendrat rajonale.

“Nuk ka ndonjë ngarkesë të madhe sepse janë hapur edhe qendrat për analiza në spitalet rajonale, aktualisht janë duke u bërë në Pejë, Gjilan e Mitrovicë se shpejti do të jenë në Prizren, Gjakovë e Ferizaj”, ka pohuar Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së.

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë 3 persona kanë vdekur nga koronavirusi e janë konfirmuar 245 raste të reja nga 2 mijë e 615 mostra të testuara.