Marrëveshja për nxitjen e investimeve ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi më 3 shkurt, do të mundësojë ndërtimin e autostradës Prishtinë – Merdare dhe linjës hekurudhore Beograd – Prishtinë, tha ministri në detyrë i Infrastrukturës në Kosovë, Arban Abrashi, duke shtuar se do të krijohen edhe vende të reja të punës.
Investimet amerikane burojnë nga takimi për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku u nënshkruan dy dokumente, më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Dokumentet parashihnin investime të Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar, e njohur me shkurtesën DFC, dhe organizatave tjera financiare amerikane në këto dy vende. Kurse, më 31 dhjetor të vitit të kaluar, kjo korporatë, për të sjellë gamën financiare në Kosovë, ka nënshkruar një marrëveshje me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, dhe kryeministrin detyrë, Avdullah Hoti.
Korporata për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), të enjten më 4 shkurt, ka njoftuar se ka hyrë në fuqi marrëveshja për nxitjen e investimeve që ka arritur me Kosovën.
Abrashi: DFC-ja, mundësi për bizneset private
Ministri në detyrë, Abrashi, thotë se përveç ndërtimit të autostradës dhe hekurudhës, hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, ka rëndësi të veçantë sepse do të përkrahet sektori privat, përmes produkteve financiare.
“Mundësitë për financim të bizneseve e projekteve përmes qasjes në fondet e DFC-së, do të jenë një nxitje e mundësi e shkëlqyer për ndërmarrësit kosovarë, që do të ndikojë në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit dhe në krijimin e vendeve të reja të punës”, tha ai.
Autostrada Prishtinë – Merdare, e gjatë 27 kilometra, e njohur ndryshe edhe si “Autostrada e Paqes” është një nga projektet e përfshira në Marrëveshjen e Uashingtonit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe kushton përafërsisht 200 milionë euro. Kurse, segmenti hekurudhor Prishtinë – Merdare, me gjatësi prej 45 kilometrash arrin në 150 milionë euro.
DFC-ja është bankë e zhvillimit të Amerikës, e cila bashkëpunon me sektorin privat duke financuar zgjidhjet e sfidave më kritike, me të cilat përballet bota në zhvillim.
DFC-ja investon në sektorë duke përfshirë energjinë, kujdesin shëndetësor, infrastrukturën kritike dhe teknologjinë. Po ashtu, DFC-ja siguron financim për bizneset e vogla dhe gratë sipërmarrëse, me qëllim krijimin e vendeve të punës në tregjet në zhvillim.
Zeka: Zbatimi i marrëveshjes së DFC-së, efekt pozitiv tek investitorët e huaj
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës, tha se nisja e zbatimit të marrëveshjes së DFC-së, do të ndihmojë sektorin privat që të ketë qasje në financa..
“Këto janë produkte financiare, janë instrumente financiare, ngjashëm sikur çdo institucion tjetër financiar, të cilat u jepen bizneseve, në këtë rast u jepen bizneseve që të investojnë në Kosovë ose t’i zgjerojnë investimet e tyre në Kosovë dhe rajon”, tha Zeka.
Ai theksoi se kjo marrëveshje, efekte pozitive do të ketë edhe tek investitorët e huaj, të cilët më lehtë do të vendosin që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë.
“Pashmangshëm se po, pasi ngjashëm sikur me institucionet tjera financiare, siç është rasti më Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, investitorët mund gëzojnë qasje alternative në financa”, theksoi ai.
Kjo marrëveshje,shtoi Zeka, përfshin edhe financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante në ndihmën teknike.
Më 31 dhjetor, zëvendësshefi i DFC-së, njëherësh drejtor menaxhues për Ballkanin Perëndimor, John Jovanoviq, deklaroi se DFC-ja sheh “potencial të madh për të ndihmuar në mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune dhe mbështesin zhvillimin për popullin e Kosovës”.
Si pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit, DFC-ja ka hapur zyrën rajonale në Beograd.