MASH dha 10 tenderë për vetëm dy muaj, 2 prej tyre me shuma mbi 2 milionë euro

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) gjatë dy muajve të parë të vitit 2021, ka shpërndarë gjithsej 10 tenderë për punë të caktuara, ku shumica prej tyre u janë dhënë edhe personave privat. Madje dy prej këtyre 10 tenderëve kanë vlera të mëdha deri në mbi 2 milionë euro.

Më 22 janar 2021, MASH-i nënshkroi dy kontrata mbi dy milionëshe me dy kompani kosovare, përcjell Buletini Ekonomik.

Kontrata e titulluar “Furnizimi me pajisje për salla të sportit në shkolla të arsimit parauniversitar” i ka kushtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës gjithsej 2 milionë e 476 mijë e 544 euro. Kontrata në fjalë i është besuar punës së fabrikës së mobileve “STANDARD SH.P.K., N.N.P. STANDARD PLUS dhe STANDARD HOME FURNITURE L.L.C, që pritet të përfundojë brenda tri viteve.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë një tender tjetër me një shifër si të përafërt me atë të lartëpërmendurin, është edhe kontrata me titull “Furnizim me pajisje dhe ngritjen e Infrastrukturës së Qendrës për Qertifikimin e produkteve në USHAF” e cila ka pasur vlerën e parashikuar prej 2 milionë e 290 mijë eurove, dhe i është dhënë Grupit të Operatorëve Ekonomik “AP PROJECT SH.P.K., gbd Lab GmbH, gbd Zert GmbH, dhe ADA CONSULTING GROUP SH.P.K.”, me një vlerë prej 2 milionë e 270 mijë euro. Ky projekt sipas dosjes së tenderit është paraparë të përfundojë për tri vite.

Ditën e parë të vitit 2021, më 1 janar, MASH-i ka publikuar në E-prokurimi njoftimin për dhënien e kontratës 1 milionëshe me titull “Furnizim me pajisje laboratorike për arsimin parauniversitar”. Kjo kontratë më pas u nënshkrua më 7 janar nga kompania “Ndërmarja Tregtare Grafike Blendi ; N.T.P ERAMED” dhe MASH-i, me një çmim ‘më simbolik prej 1 milionëshit’, me 9 mijë e 934 euro. Edhe kjo kontratë do të zgjasë tri vite apo 36 muaj.

Gjithashtu, më 12 janar po ashtu është nënshkruar edhe kontrata “Renovimi dhe funksionalizimi i tualeteve në shkolla”, kontratë kjo e ndarë në dy Llote, e cila ka pasur një vlerë të parashikuar prej 1 milionë eurove. Lloti i parë i kësaj kontrate i është dhënë operatorit ekonomik me emër “NPN EUROING SH.P.K.” me një vlerë prej 307 mijë e 85 euro, kurse Lloti 2 është nënshkruar nga kompania “Olti Trasing SH.P.K.” me një vlerë prej 393 mijë e 743 eurove.

Për kontratën “Furnizim me ushqim dhe material hixhienik për nevojat e qendrave burimore dhe shkollave speciale” gjithashtu janë ndarë gjithsej 93 mijë e 264 euro nga buxheti i Ministrisë së Arsimit. Këtë furnizim me produkte ushqimore dhe pije në këto shkolla speciale për këtë vit dhe vitin e ardhëm do ta bëjë kompania N.H.T. “Edukimi”.

Edhe 108 mijë e 371 euro tjera, i janë ndarë edhe kompanisë “Joni Travel” për “Shërbime të transportit për QB Nëna Terezë Mitrovicë jugore dhe shkolla speciale Buzhuri i Kosovës në Mitrovicën e veriut”. Kontrata në fjalë u nënshkrua më 2 shkurt të këtij viti dhe do të zgjasë 24 muaj.

Përpos këtyre, Ministria e Arsimit është përkujdesur edhe për angazhimin e disa ekspertëve të tjerë individualë në kuadër të saj.

Tenderi “Angazhimi i ekspertit në fushën e menaxhimit te projekteve” i është dhënë kandidates Donika Osmani më 14 janar, me një vlerë prej 9 mijë e 912 euro, e cila do ta ushtrojë këtë funksion për 2 vite rresht.

Më 1 shkurt, Egzon Ibërdemaj ka nënshkruar me MASH-in kontratën “Angazhimi i një eksperti konsulent individual për ekspertizë në komponentën e njohjes dhe analizës së legjislacionit, politikat dhe procedurat lidhur me arsimin privat me qëllim të ofrimit të shërbimeve dhe produkteve cilësore në licencimin dhe rilicencimin e bartësve të arsimit privat parauniversitar”. Kontrata e përmendur ka vlerën e 9 mijë e 984 eurove dhe do të zgjasë po ashtu 24 muaj.

Në datën e njëjtë, sikurse Ibërdemaj, pra 1 shkurt 2021, u dha edhe kontrata “Shërbime të veqanta për kontraktor individual” me katër Llote edhe për 4 kontraktorë tjerë individual. Kjo kontratë më pas u nënshkrua nga kandidatët më 2 shkurt. Kontraktorët individual që fituan tenderin e ndarë në Llote për hartimin e dokumentit “Plani Strategjik i Agjencisë së Kosovës për Akreditim” janë: Fortuna Mehmeti (Lloti I), Muzafer Shala (Lloti II), Majlinda Mazelliu (Lloti III) dhe Shejnaze Gagica (Lloti IV). Të gjithë këta kandidatë do të paguhen me nga 2 mijë euro për 3 muaj.

Më datën 3 shkurt, gjithashtu është nënshkruar edhe një kontratë tjetër brenda kësaj ministrie, me vlerë mbi 33 mijë euro, për “Angazhimin me shërbime të veçanta për kontraktorë individual”, ku fituan 6 persona.

Donjeta Maqedonci është kandidatja që u caktua si “Kontraktor individual për ekspertizë në komponentën e njohjes barasvlerë së diplomave të Arsimit Parauniversitar –MASH”. Vlera e kontratës për Maqedoncin do të jetë 2 mijë e 700 euro dhe do të zgjasë për 6 muaj.

Rozafa Ramosaj u caktua si “Kontraktor individual për ekspertizë dhe trajtim të diplomave të Univeristetit të Mitrovicës së veriut”, me një vlerë të njëjtë të kontratës prej 2 mijë e 700 eurove.

Milot Hyseni u pozicionua si “Kontraktor individual për ekspertizë të diplomave të Arsimit të Lartë Privat të fituara në Kosovë – me qëllim të përdorimit të atyre diplomave jashtë Kosovës” për gjashtë muaj me vlerë po ashtu 2 mijë e 700 euro. Edhe Ernest Hasani fitoi kontratën e njëjtë si Milot Hyseni për punë gjashtë mujore në këtë institucion.

Kurse Faton Merovci dhe Arta Ahmetxhekaj fituan tenderin e “Kontraktorit individual për Informim Akademik” në vlerë të 7 mijë e 200 eurove për 12 muaj.

Ndryshe Ministria e Arsimit dhe Shkencës prej gjysmës së vitit 2020 e deri më tani është duke u qeverisur nga ministri tashmë në detyrë, Ramë Likaj. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/