Që disa muaj, Ministria e Infrastrukturës kishte mbetur pa shef të prokurimit, pasi Valmira Bllaca ka shkuar në pushim të lehonisë. Ministria në vendin e saj ka caktuar për menaxher të prokurimit një person që ka probleme me ligjin.
Para pak ditëve, Sekretari i Ministrisë, Izedin Bytyqi e emëroi u.d të menaxherit të prokurimit, Besim Tahirin, shkruan lajmi.net.
Tahiri është duke u gjykuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Këtyre ditëve, ai mundet që të lirojë bankën e menaxherit të prokurimit dhe të ulët në ulësen e të akuzuarit .
Në kohën e qeverisjes së ministrit Lutfi Zharku, ishte emëruar ud. i menaxherit të prokurimit. Me të ardhur në krye të ministrisë, partia e Ramush Haradinajt e kishte zhvendosur atë nga zyra e prokurimit duke emëruar Drejtor të Departamentit për Patentë Shofer-u.d.
Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi dhe ish ushtruesi i detyrës së drejtorit të prokurimit, Besim Tahiri, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Seanca e fundit gjyqësore ndaj tyre është mbajtur në vitin e kaluar.
Prokuroria pretendon se Xhelil Bekteshi, në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ndërsa njëjtë akuzohet se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 janar 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
I akuzuari Xhelil Bekteshi, sipas kësaj aktakuze thuhet se sa ishte në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.
Sipas aktakuzës, Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23.05.2016 në vend të datës 26.06.2016.
Besim Tahiri, akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës , kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.
Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të shtrenjtë.
Deri më tash janë mbajtur disa seanca gjyqësore, ku janë dëgjuar disa dëshmitarë. Por seancat e fundit kanë dështuar të mbahen ngase nuk janë paraqitur në gjykatë disa persona.
Ndryshe, Zyra e prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës është që disa muaj pa menaxher të prokurimit. Kjo ngase menaxherja, Valmira Bllaca e cila ishte emëruar në krye të departamentit të prokurimit nga qeveria Haradinaj ka shkuar në pushim të lehonisë.
Së bashku me ish Sekretarin e ministrisë, Betim Reçica, ajo është duke u hetuar për keqpërdorim të pozitës zarare në disa tender./Lajmi.net/