Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka lëshuar leje ujore 15-vjeçare për hidrocentralin “Lumbardhi 2” në Grykë të Deçanit, pronë e kompanisë “KELKOS”. Vendimi është marrë pas dy vendimeve paraprake për leje mjedisore të dy hidrocentraleve të “KELKOS-it” në atë pjesë. Shoqëria civile ka kundërshtuar dhënien e lejes, meqë sipas tyre kjo është bërë në kundërshtim me ligjin
Prishtinë, 4 shkurt – Kundërshtimet e shoqërisë civile dhe paditë nuk e kanë zmbrapsur Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit nga licencimi i hidrocentraleve. Kjo ministri, dy ditë më parë, ka lëshuar leje ujore në afat 15-vjeçar për hidrocentralin “Lumbardhi 2”, pronë e kompanisë “KELKOS”, në Grykën e Deçanit. Vendimi u mor pasi më parë u lëshuan dy leje mjedisore për dy hidrocentralet e tjera të “KELKOS-it” në atë pjesë, “Deçani” dhe “Bellaja”.
Në arsyetimin e vendimit, të cilin e ka siguruar KOHA thuhet se kompania ka hequr dorë nga ndërtimi i pendës në Zallë të Rupës dhe se Ministria është pajtuar me arsyetimin e kompanisë.
Aty thuhet se ndërtimi i pendës së projektuar ka qenë i pamundur për shkak të mungesës së shkëmbinjve të ngurtë nëntokësorë.
“Arsyeja kryesore e prezantuar nga pala pranë ARPL-së pse nuk mund të ndërtohet rezervuari në Zalli Rupe, bazohet në vlerësimet e ekspertëve lidhur me kushtet gjeoteknike dhe hidrogjeogjike, që pengojnë ndërtimin dhe funksionalitetin e sistemit të pendës në Zallin e Rupës”, thuhet në vendim.
Mes të tjerash aty thuhet edhe se si zona e Zallit të Rupës që është prekur nga heqja e materialit nga “KELKOS”-i është identifikuar nga MEA-ja për rikultivim në pajtim me raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të vitit 2012.
Për masa të rikultivimit, thuhet se “KELKOS”-i ka propozuar dy opsione alternative me aplikimin për leje ujore për “Lumbardhi 2”. Opsioni i parë është rimbushja e zonës së prekur duke përllogaritur 40 mijë metër kub material zallor dhe dizajni i sipërfaqes përkatëse të arrijë deltën origjinale të shtratit të lumit siç ka qenë më parë.
Opsioni i dytë është përgatitja e një liqeni me vlera turistike që mbulon zonën e ndikuar dhe ofron mundësi turistike.
“Nëpërmjet rezervuarit testues, opsioni i dytë është përgatitja e një liqeni me vlerë turistike, që mbulon zonën e ndikuar dhe ofron mundësi për lehtësime turistike… Ndërmjet rezervuarit testues, qëndrueshmëria e këtij koncepti është testuar gjatë dy vjetëve të kaluar. Është kuptuar që për të penguar dehidrimin sezonal të liqenit për shkak të rrjedhës së ujit nën tokë, duhet të aplikohet një shtresë izoluese në pjesën e fundme të liqenit të planifikuar”, thuhet në vendim.
Dhënia e lejes ujore, sipas Baton Begollit nga Këshilli ndërministror për ujëra, është në vazhdën e shkeljeve për trajtim të fitimit të së drejtës ujore për hidrocentrale.