“Frika për shpenzime dhe për investime ka bërë që depozitat të rriten edhe gjatë janarit, edhe pse me ritme më të ngadalta. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit të kaluar kursimet e shqiptarëve arritën në 1.11 trilionë lekë apo rreth 9 miliardë euro.”
Rritja më e madhe e depozitave ka ardhur kryesisht nga ato në valutë që arritën në 597.6 miliardë lekë apo rreth ,, euro, teksa kanë parë një rënie kursimet në lekë në raport me dhjetorin e 2019-ës.
Ajo që vihet re nga statistikat është shtimi i depozitave pa afat që arritën në 121.5 miliardë lekë në fund të janarit, një fenomen i hasur edhe një vit më parë, çka nënkupton se qytetarët mund t’i tërheqin ato lehtësisht nga sistemi bankar në çdo moment.
Megjithatë, një tendencë e tillë mund të lidhet edhe me ekonominë informale, pasi kjo mund të sjellë edhe një rritje të qarkullimit të parasë jashtë kanaleve bankare.
Depozitat bankare kanë parë një trend të fortë rritje që prej nisjes së pandemisë në vend gjatë marsit të kaluar kur stoku total i depozitave arriti në 1 trilionë lekë, për të vazhduar rritjen edhe këtë vit si nga bizneset që duket se kanë frenuar investimet, ashtu edhe nga qytetarët.
Kjo tendencë e shqiptarëve për të kyçur paratë e tyre në banka lidhet kryesisht me pasiguritë e larta të pandemisë si dhe me vendosjen e masave bllokuese nga vendet e huaja. Kufizimet e udhëtimeve kanë bërë që të kursejnë më shumë gjatë kësaj periudhe, duke ndjekur kështu trendin e vitit të kaluar.