Sfidat e qeverisë së re nuk do të jenë të pakta edhe në aspektin ekonomik, duke marrë parasysh tkurrjen ekonomike, pasojat e mëdha në sektorin privat dhe papunësisë të shkaktuara nga pandemia Covid-19.
Megjithatë, sipas njohësve të çështjeve ekonomike të gjitha partitë politike, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, kanë prezantuar programe të cekëta në aspektin jo vetëm politik, por edhe ekonomik.
Njohësi i çështjeve ekonomike Bardh Ahmeti thotë për KosovaPress se qeveria e re duhet të formohet sa më shpejtë dhe të konstituohen të gjitha institucionet për t’i paraprirë dhe përshpejtuar agjendën e rimëkëmbjes ekonomike.
Ai thotë se fillimi i vaksinimit të popullatës do ta ndihmonte në masë të madhe edhe rimëkëmbjen ekonomike dhe kthimin në normalitet të ekonomisë dhe të vet qytetarëve.
“Sfidat e qeverisë së re nuk do të jenë të pakta, duke parë ndikimin që ka shkaktuar pandemia Covid-19. Duke parë deklarimet e më hershme të akterëve të Vetëvendosjes që kanë pasur vërejtje e tyre për Ligjin e rimëkëmbjes ekonomike, tashmë është në duart e tyre që të vendosin se cila është rruga që do ta zgjidhin për rimëkëmbje të vendit. Megjithatë, është e nevojshme që të krijohen instrumentet e shpejta qoftë ato që dalin nga Ligji për rimëkëmbje ekonomike ose plotësim ndryshimi i këtij ligji bazuar në vizionin e tyre për rimëkëmbje ekonomike ose me pako të tjera që duhet të implementohen. Këto duhet të jenë veprime të shpejta në mënyrë që të mënjanohen humbjet dhe dëmet e mëdha që ka shkaktuar në ekonomi pandemia Covid-19… Sfidat kryesore janë ruajtja e vendeve të punës dhe ruajta e kompanive të sektorit privat nga falimentimi”, thotë Ahmeti.
Ai po ashtu thotë se VV-ja nuk është se ka prezantuar instrumente konkrete se si do të ndërhyjë për rimëkëmbjen ekonomike.
Profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi konsideron që ekonomia dhe mirëqenia sociale e popullatës duhet të jetë prioritet primar i qeverisjes së ardhshme.
“Do të duhej që në këtë kontekst qeveria përmes politikave të ndryshme ekonomike ta stimulojë, respektivisht ta rikthej ekonominë në binarët e veta në mënyrë që të kthehemi deri në një recesion të lehtë… Jemi dëshmitarë se gjatë gjithë kësaj fushate zgjedhore të gjitha partitë politike pothuajse kanë qenë të mangëta dhe të cekëta në aspektin e programeve të tyre jo vetëm politike por edhe ekonomike. Sidomos në ekonomi nuk kemi pasur ndonjë pasqyrë të këtyre programeve për me rehabilituar gjendjen pas zgjedhjeve respektivisht gjatë periudhës së këtij ti depresioni ekonomik të cilin jemi duke përjetuar si rezultat I shkaqeve të pandemisë”, thotë Skënderi.
Profesori universitar thekson po ashtu se numri i atyre që kanë humbur vendet e punës në pandemi është rreth 70 mijë. Teka shton se qeveria do të duhej t’i stimulojë bizneset përmes formave të ndryshme të instrumenteve politik, duke filluar nga politika fiskale.
S“Qeveria do të duhej që pikësynim kryesor ta ketë forcimin e kërkesës agregate… mandej, të stimulojë bizneset të cilat kanë larguar një pjesë të konsiderueshme të punëtorëve. Flitet që diku afër 70 mijë punonjës vetëm janë larguar në këtë periudhë prej punës, të cilët kanë qenë të punësuar me letra e sa prej tyre të cilët kanë punuar edhe në ekonomi të zezë ose informale të cilat janë larguar nga bizneset për shkak të karakteristikave negative të cilat nuk kanë mundur bizneset në këtë kohë të përballojnë. Prandaj, për me rikthye gjendjen respektivisht mirëqenien sociale një epiqendër paksa më të volitshme, qeveria do të duhej t’i stimulojë bizneset përmes formave të ndryshme të instrumenteve politik, duke filluar nga politika fiskale… në mënyrë që të ndodhë një balancë makro ekonomik i cili do të çonte zhvillimin e rimëkëmbjes ekonomike, por edhe një përmirësim të standardit social”, thotë ai.
Në anën tjetër në paraqitjen e parë për media pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, kryetari i VV-së Albin Kurti ka thënë se do të qeverisë pa inate, pa korrupsion dhe për drejtësi institucionale e sociale.
“Pa inate, pa revanshizëm në qeverisje, pa ryshfet dhe pa harraq në biznese, pa korrupsion dhe nepotizëm në administratë, me drejtësi institucionale e sociale dhe me përgjegjësi individuale e reciproke edhe do ta zhvillojmë edhe do ta demokratizojmë vendin tonë. Shteti do të jetë dyshemeja e fortë sociale dhe kulmi i sigurt ambiental që ofron siguri dhe mundësi për të gjithë pa dallim, ku secili zhvillon potencialin dhe talentin e tij”, shtoi ai.
Ndërsa, në bazë të rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar bindshëm 47.87 për qind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit. Pritet që pas publikimit të rezultateve përfundimtare dhe certifikimit të tyre nga ana KQZ-së të konstituohet legjislatura e tetë në Kuvendin e Kosovës dhe të formohet qeveria e re që pritet të jetë nga VV-ja. /kp/