Rritja ekonomike ndër vite nuk garanton punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm

13-vjetori i shtetësisë e ka gjetur Kosovën me një ekonomi “përtokë”. Rënia ekonomike e ndikuar nga pandemia arriti në mbi 7 për qind, duke bërë që vendi të kthehet në pikën zero.

Rritja e paqëndrueshme ekonomike, papunësia, mungesa e investimeve të huaja direkte dhe problemet me funksionim të ligjit e jostabiliteti politik, janë problemet që e kanë përcjellë ekonominë ndër vite.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se burimet ekonomike në vend janë të paqëndrueshme.

Reklama e sponzorizuar

“Ekonomia apo performanca varet nga konsumi që financohet nga sektori publik dhe nga pjesa e diasporës. Pra, është diçka që nëse e shohim në afatgjatë nuk na garanton një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, rrjedhimisht nuk na garanton as punësim të qëndrueshëm. Burimet e rritjes ekonomike edhe në këta 13 vjet të pavarësisë mbeten të paqëndrueshme”, ka thënë Rukiqi

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në Kosovë gjatë vitit 2019 ishte 22.6 për qind. E në vitin që kemi lënë pas papunësia është rritur në 24.6 për qind.

Jeton Mehmeti, hulumtues në Institutin GAP, ka thënë se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për uljen e papunësisë, ndërkohë që të punësuarve u janë shkelur të drejtat.

“Në Kosovë, nga rreth 600 mijë gra të cilat janë në moshë pune, sipas statistikave të ASK-së, del që vetëm 85 mijë të papunësuar apo 14 për qind. Kategoria e dytë që është tepër e prekur janë të rinjtë. Duke pasur parasysh moshën mesatare të popullsisë së Kosovës, kjo vetëm sa bëhet më problematike. Rreth 46.9 për qind është papunësia në mesin e të rinjve. Në shifra të tjera 1/3 e të rinjve nuk janë as duke punuar, as në shkollim, as në trajnim”, është shprehur Mehmeti.

Nga mbi 1.2 milionë qytetarë të Kosovës, të cilët llogaritet se kanë moshën për punë, të punësuar janë rreth 350 mijë qytetarë. Ndërkaq, mbi 23 për qind e tyre jetojnë në varfëri.

Të dhënat e BQK-së tregojnë se Kosova kishte filluar vitin e pavarësisë me rritje ekonomike prej 5 për qind, por që kjo shkallë nuk është arritur më. Rritja mesatare ekonomike ishte 4 për qind.

Rritja është gjeneruar kryesisht nga konsumi, investimet publike dhe nga diaspora. Remitencat gjatë 2018-s ishin mbi 800 milionë euro, më 2019 mbi 850 milionë, ndërsa më 2020 rreth 900 milionë.

Edhe investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie viteve të fundit.