Kryetari i Odës së Hotelerisë së Kosovës, Hysen Sogojeva ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se në rast të shtrëngimit të masave, si shkak i rritjes së rasteve me Covid-19, ky sektor nuk do të respektojë këtë vendim.
Sipas Sogojevës mbyllja eventuale nuk do të ishte masë e duhur, por shkatërrim i biznesit kosovar. Ai ka kërkuar që asnjë masë mos të merret pa u konsultuar me njerëz profesionistë.
“Partitë politika kanë mbajtur fushata të pakontrolluara, absolut nuk i janë përmbajtur udhëzimeve të cilat vetë i kanë aprovuar. Në kuadër të kësaj meqëse bizneset hoteliere turistike gjinden në një situatë mjaftë të vështirë po i paralajmërojmë që nëse merret ndonjë masë pa u konsultuar me neve ne nuk do ta respektojmë. Nuk e respektojmë për arsye se ata janë shkelësit e masave”, është shprehur ai.
“Nuk është masa adekuate mbyllja, ajo është shkatërrim i biznesit. Ne kemi thënë edhe sa herë nuk është mirë të merren vendime ad-hocke pa u konsultuar me odat, pa u konsultuar me njerëz profesionist, me bazën se si është gjendja e bizneseve. kemi mund edhe të kalojmë më mirë e ta ruajmë shëndetin më mirë po të ishim konsultuar. Në kuadër të këtyre masave ne po e themi publikshit që lini njerëzit të punojnë, merrni masa ndaj atyre të cilët nuk respektojnë masat. Ne jemi nisur prej anëtarëve të odës, lirisht edhe anëtarëve tanë jo me dënuar por edhe me mbyllë, vetëm me ja dhënë mundësinë tjetrit të punojë i cili respekton masat. Ne u kemi dorëzuar guidën, manulainë tonë e kanë, mes tij është bërë një udhëzim i përbashkët, përmbajuni atyre udhëzimeve, absolut nuk do të vinim deri te rritja e rasteve dhe nuk kishim me e dërguar biznesin në falimentim”, ka shtuar ai.
Sogojeva edhe njëherë ka bërë të qartë se nuk pranojnë kthimin e normës prej 18% të TVSh-së pas pandemisë.
“I kemi 12 kërkesa dhe secila prej tyre është e realizueshme sepse ne nuk dalim jashtë rrjedhave normale që janë në Kosovë, ne nuk kërkojmë kërkesa astronomike. Por duke i studiuar gjërat duke i prekë bizneset, tu i pa hallet e dertet ne si kryesi marrim vendime që kjo është e mirë për bizneset të realizohet. Për momentin e kemi 8 për qind TVSh-në, me përfundimin e pandemisë është thënë se do të kthehet si më herët, por ne nuk e lejojmë sepse në rajon e kanë edhe 6 për qind. Ne e kemi 8 kurse para saj ka qenë 18 për qind”, ka thënë ai.
Ndërsa përfaqësuesi i bizneseve të Komunës së Kamenicës, Besim Agaj ka thënë për EO se shqetësimet e bizneseve nga kjo komunë janë mjaftë të mëdha.
“Shqetësimet e bizneseve në komunën tonë janë të mëdha. Siç duket Kamenica është e harruar që prej pasluftës. Nuk ka qenë asnjëherë ndonjë organizatë përveç që kemi pasur kontakte me Odën e Hotelierëve të Kosovës dhe e kemi ndjerë një mbështetje prej odës. Nuk kemi pasur ku me u ankuar, nuk kemi pasur qasje me asnjë komunitet, zyre apo vend tjetër. Hallet dhe dertet janë shumë të mëdha”, është shprehur ai.
Agaj ka treguar se nga 18 punëtorë sa ka pasur në biznesin e tij “Tavafi Grill House” ai është detyruar të reduktojnë numrin në 11 për shkak të pandemisë.
“Mbyllja e parë me 9 orë punë, staf të reduktuar, nuk kemi mund të ia dalim të qeraja, pagesat e shumë gjëra që i kemi pësuar. Ne kemi qenë 18 punëtorë në fillim, u dashtë me ra në 11 numri, pak me balancuar, me ata që kanë qenë më të nevojshëm e që i kanë pasur kushtet më të rënda” ka thënë ai.
Sipas Agajt bizneset nuk kanë si të zbatojnë masat nëse shteti nuk u përgjigjet në asnjë formë kërkesave të tyre, raporton EO.
“Patjetër që duhet të respektohen masat, por fillimisht të i respektojë shteti. Me rëndësi është shëndeti për atë po luftojmë. Tash kur shteti nuk ka përgjigjet kurrqysh ne nuk mundemi me i zbatuar masat”, ka përfunduar ai për EO.