Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka dorëzuar sot ankesën kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për hedhje poshtë të padisë së organizatave GLPS dhe “Pishtarët” kundër lëshimit të lejeve mjedisore dhe licencave për hidrocentralet “Deçani” dhe “Belaja” në Grykën e Deçanit.
Gjykata Themelore kishte hedhur poshtë padinë kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit si dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji, me arsyetimin se ekziston gjyqvartësia sepse kundër të njëjtave vendime është parashtruar një padi nga një palë tjetër.
GLPS dhe Pishtarët janë shprehur se aktvendimi i gjykatës është i pabazuar dhe i padrejtë “sepse në këtë rast nuk janë përmbushur dy kushtet kumulative të gjyqvartësisë, pra kushtet (1) kërkesëpadia e njëjtë dhe (2) palët e njëjta”.
Të dy organizatat kanë vlerësuar se u janë shkelur të drejtat themelore.
Në ankesë, organizatat kanë kërkuar nga Gjykata e Apelit të prishë aktvendimin e Themelores dhe të kthejë çështjen në rivendosje apo që të bëjë bashkimin e lëndëve në mënyrë që të garantohen të drejtat themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
ZRRE-ja në nëntor të vitit të kaluar kishte licencuar dy hidrocentrale të KELKOS-it, pasi ato janë pajisur me leje mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit. Por veprimtaria e tyre është ndaluar pasi Vetëvendosje dhe “Pishtarët” kanë dorëzuar padi për këto dy institucione, meqë Gjykata Themelore ka vendosur masë të përkohshme sigurie, duke pezulluar licencat e tyre.