Deri më tani, mendohej se ishte vetëm më ngjitës. Por sot provat që B.1.1.7, i ashtuquajturi varianti anglez, është edhe më vdekjeprurës, po bëhen më të forta.
Këtë e deklaron një grup këshilltarësh i qeverisë britanike në një dokument të publikuar në faqen institucionale, sipas të cilit “ka të ngjarë” që ky version i ri i koronavirusit të rrisë rrezikun e shtrimeve në spital dhe vdekshmërisë. Këto të dhëna nxjerrin në pah paqartësitë e kësaj faze të re të pandemisë dhe rreziqet potenciale që mund të vijnë nga lehtësimi i masave të sigurisë.
Muajin e kaluar, komuniteti shkencor pati theksuar mundësinë reale që varianti anglez, përveçse është më ngjitës, mund të “shoqërohet me një rrezik më të lartë vdekjeje” krahasuar me versionet e tjera të virusit në qarkullim. Për ta vërtetuar këtë gjë, raporti i ri analizoi një duzinë studimesh, ku u krahasuan nivelet e shtrimit në spital dhe vdekshmërisë.
Megjithatë, arsyet e këtij agresiviteti më të madh nuk janë sqaruar ende – disa prova tregojnë se njerëzit që rezultojnë pozitivë ndaj variantit mund të kenë një ngarkesë më të lartë virale, e lidhur jo vetëm me një shkallë më të lartë transmetimi, por edhe me një formë të Covid-19 më të rëndë. “Ne kemi vëzhguar një rritje të rrezikut të shtrimit në spital dhe vdekshmërisë – tha në një intervistë Neil Ferguson, epidemiolog dhe këshilltar shkencor i qeverisë britanike. Duhet të forcojmë masat në fuqi”.
Siç shkruan New York Times, ky lloj është përhapur tani në shumë pjesë të botës. Sipas vlerësimeve të një studimi të kryer në SHBA, për shembull, variant anglez, i identifikuar në të paktën 82 vende, po përhapet me shpejtësi dhe transmetohet nga 35% deri në 45% më lehtë krahasuar me versionet e tjera. “Këto rezultate tregojnë që B.1.1.7 do të bëhet me shumë gjasa varianti dominues në shumë vende të SHBA-së brenda marsit 2021, duke shkaktuar valë të tjera të Covid-19, nëse përpjekjet e kontrollit nuk zbatohen menjëherë” – lexohet në dokument.
Sidoqoftë duhet të theksohet se shumica e rasteve të Covid-19, madje edhe ato të shkaktuara nga varianti i ri, nuk janë fatale. Në fakt, shkencëtarët e qeverisë britanike janë mbështetur në studime që kanë analizuar një përqindje të vogël të vdekjeve të përgjithshme. Për këtë arsye ka kufizime në grupet e të dhënave të përdorura, por, siç theksohet në dokument, këto analiza së bashku tregojnë se ka të ngjarë që B.1.1.7 të shoqërohet me një rritje të rrezikut të shtrimit në spital dhe vdekjeve krahasuar me infeksionin e parë.
“Mendoj se këto rezultate janë të vërteta, megjithëse ka ende disa kufizime” – tha Muge Cevik, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e Shën Andrews në Skoci dhe këshilltar shkencor i qeverisë britanike. “Ka edhe shpjegime të tjera për shtimin e agresivitetit”, ndër të cilat fakti që varianti “mund të përhapet në mënyrë disproporcionale në vende me njerëz më të brishtë, siç janë shtëpitë e pleqve”.