Vetëm për rreth 5.6 për qind të qytetarëve të Kosovë pritet të ketë vaksina kundër COVID-19 në fund të muajit shkurt. Ndonëse vaksinimi i qytetarëve kundër këtij virusi është parë shumë i rëndësishëm, qytetarët tjerë duhet të presin derisa të vie furnizimi me vaksinat tjera. Ndërsa, derisa Kosova ende nuk ka marrë asnjë dozë të vaksinave, Serbia tashmë është vendi i dytë evropianë që pas Britanisë së Madhe ka vaksinuar më së shumti qytetarë të saj. Më shumë se 450 persona janë vaksinuar brenda dy javësh në këtë shtet, raporton Gazeta Express.
Kosova do të furnizohet në fund të muajit shkurt me 100 mijë e 800 vaksina kundër COVID-19 nga COVAX. Rrjedhimisht, vetëm rreth 5.6 për qind e qytetarëve do të vaksinohen me këto vaksina, derisa pjesa tjetër e qytetarëve duhet të presin furnizimin me dozat tjera.
Ata që do të vaksinohen të parët me vaksinat e COVAX do të jenë punëtorët shëndetësorë.
Sipas target grupeve të përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, të parët që do të vaksinohen do të jenë punëtorët shëndetësorë, pastaj personat mbi 65 vjeç.
Në rast se do të mbetet ndonjë dozë e vaksinave të COVAX që do të vinë gjatë këtij muaji, do të fillojnë të vaksinohen edhe personat me sëmundje kronike, të zemrës veshkave, mëlçisë e personat me sëmundje tjera.
Derisa numri i të infektuarve me koronavirus në vend po vazhdon të jetë i lartë, aq më shumë derisa tashmë prezent është edhe varianti i ri anglez i këtij virusi, infektologët vlerësojnë që sa më shpejtë duhet të bëhet vaksinimi i një pjese të madhe të qytetarëve, në mënyrë që të parandalohet përhapja e këtij virusi.
Infektologu Hamdi Ramadani, ka thënë për Express se nëse vaksinohet mbi 65 për qind e popullsisë, atëherë gjendja me pandeminë do të jetë shumë më e mirë.
Ai ka thënë se është e rëndësishme që sa më shpejtë të fillojë vaksinimi.
“E rëndësishme është që njerëzit t’i përmbahen masave dhe është e rëndësishme që të startohet urgjentisht me vaksinën. Si çdo vend tjetër është urgjente që edhe vendi të filloj vaksinimin dhe imunizimin e qytetarëve. Po të fillonte vaksinimi në muajin shkurt, gjendja do të merrte një kahje krejtësisht tjetër, ka thënë ai.
Ramadani ka thënë se vaksina i mbron qytetarët të cilët infektohen edhe me variantin e ri të koronavirusit, derisa është shprehur se nëse një përqindje e lartë e qytetarëve vaksinohen nga muaji shkurt, pas tre muajve gjendja me këtë virus do të jetë shumë më e mirë.
Ndërsa, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka kërkuar që pandemia të jetë prioritet.
Ai ka thënë se varianti i ri i koronavirusit i cili është prezent në Kosovë mund të përhapet më shpejtë, dhe se duhet të përgatitemi.
“Ky variant përhapet shumë më shpejtë dhe shumë më shpejtë i atakon qytetarët. Ai është në fazën fillestare të përhapjes dhe ne duhet të jemi të përgatitur për më të keqen. Në Angli rastet po shtohen edhe më shumë, ndërsa punëtorët në Kosovë janë të stërlodhur, që 1 vit duke u përballur me pandeminë pa asnjë ditë pushim”, ka deklaruar ai.
Syla ka kritikuar subjektet politike që po injorojnë apelet që po ju bëhen gjatë pandemisë.
Ndërsa, ish-anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka thënë se duhet të punohet në dy fronte që të sigurohen vaksinat kundër koronavirusit.
Ai ka thënë se nuk e dinë se çfarë kontrata ka nënshkruar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj për furnizimin me vaksina, pasi ai i ka premtuar ato por ende nuk është bërë furnizimi.
“Ministri ka premtuar vaksina që nuk i ka sjell. Duhet të shohim ku është sigurimi i vaksinave dhe në bazë të saj duhet të intervenohet. Nuk e kemi të qartë çfarë kontrata kanë nënshkruar. Ne duhet të presim se a duhet të jetë vaksina efektive. Duhet të punojmë në dy fronte që t’i sigurojmë ato”, ka thënë ai.
Kujtojmë që 62 mijë e 258 raste të infektuara me koronavirus janë regjistruar në Kosovë.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve nga koronavirusi deri më sot është gjithsej 54 mijë e 42 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6 mijë e 693.
Kujtojmë që tashmë shumë shtete kanë filluar vaksinimin e popullësisë kundër koronavirusit.
Ndërsa, derisa Kosova ende nuk ka marrë asnjë dozë të vaksinës kundër koronavirusit, Serbia është shteti i dytë në Evropë pas Britanisë së Madhe që ka vaksinuar më së shumti qytetarë. Serbia ka arritur të vaksinojë 450 persona brenda dy javësh.