Si kurrë më parë në historinë demografike të Europës, popullsia mbi 65 vjeç shumë shpejt do të jetë më e lartë se ajo nën 15 vjeç.
Moshimi i popullsisë në BE ka nisur prej gati gjysmëshekulli, në Shqipëri po ndodh me ritme shumë më të shpejta. Të dhënat e Eurostat tregojnë se në vitin 2020 rreth 20.6% e popullsisë së BE ishte mbi moshën 65 vjeç ose më shumë.
Në raport me vitin 2010, popullsia mbi 65 vjeç u rrit me 3 pikë përqindje. Ndërsa në Shqipëri, ky proces po ndodh shumë më shpejt. Nga viti 2016 deri në vitin 2020, popullsia mbi 65 vjeç në Shqipëri u rrit me 2 pikë përqindje
Sipas të dhënave të Eurostat, në grafikun bashkëngjitur, Shqipëria ka ende një popullsi të re në moshë në raport me Europën, pasi njerëzit mbi 65 vjeç ishin sa 14.7% e popullsisë totale. Në vendin tonë, rajoni më i plakur është ai i jugut të vendit, ku njerëzit mbi 65 vjeç zënë 15% të totalit të popullsisë totale në këtë rajon. Rajoni i Qendrës ka përqindjen më të ulët të +65 vjeç me 14.5% të popullsisë totale, ndërsa Rajoni i Veriut me 14.8% të popullsisë totale.
Rajonet me popullsi të madhe në moshë janë edhe më të rrezikuara nga pandemia Covid-19.
Në të gjithë vendet anëtare të BE-së, përqindja më e lartë e të moshuarve në popullsinë totale në vitin 2020 u vu re në Itali (23.2%), ndjekur nga Greqia dhe Finlanda (22.3% secila), Portugalia (22.1%), Gjermania (21.8%) dhe Bullgaria (21.6%).
Përqindjet më të ulëta u regjistruan në Irlandë (14.4%) dhe në Luksemburg (14.5%). Në nivelin rajonal, përqindja më e lartë e njerëzve të moshuar u gjetën në Chemnitz (29.3%) në Gjermani, e ndjekur nga Liguria (28.7%) në Itali, Epiri (27.3%) në Greqi, Limousin (27.1%) në Francë dhe Saksonia-Anhalt (27.0%) në Gjermani.
Gjithashtu përqindjet më të ulëta u regjistruan në dy rajone jashtë të Francës: Mayotte (2.7%) dhe Guiana Franceze (6.1%), dhe rajoni autonom Spanjoll i Melilla (11.1%).
Shqipëria po plaket me ritme shumë më të shpejta se Europa si rrjedhojë e rënies së lindjeve dhe emigrimit të lartë të popullsisë. Në vitin 2020 shtesa natyrore e popullsisë shënoi pothuajse nivelin zero me vetëm 470 lindje më shumë se vdekjet. Për herë të parë që nga 1923, kur ekzistojnë të dhënat zyrtare për regjistrimin e popullsisë së Shqipërisë, shtesa natyrore e vendit pushoi se rrituri. Nga viti 1923 deri në vitin 2019, vit pas viti lindjet kanë qenë shumë më të larta se vdekjet. Ndonëse emigracioni ka ndikuar negativisht në tkurrjen e popullsisë banuese në Shqipëri sërish ky kontingjent mund të konsiderohet rezervë, pasi ekziston gjithmonë mundësia e rikthimit të tyre, por kur lindjet janë të më të ulëta se vdekjet, popullsia e një vendi hyn në rënie pa kthim./Monitor.al/