160 raste për konflikt interesi janë iniciuar vitin e kaluar nga Agjencia Kundër Korrupsion, prej tyre janë trajtuar 77 nga autoritet përgjegjëse, ndërkohë që bëhet fjalë edhe për 33 zyrtarë të lartë. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë ngritur 124 kallëzime penale, ku 95 janë dërguar në Prokurori.
Kështu ka bërë të ditur, drejtori i Agjencisë kundër Korrupsion, Shaip Havolli i cili ka theksuar se në mesin e këtyre kallëzimeve penale, 112 janë raste të mbyllura dhe mbi 60 shkelje administrative.
“95 kallëzime penale janë dërguar në Prokurori, 16 janë informata janë dërguar informata në Prokurori dhe 13 informata në polici. Në Prokurorinë e Shtetit janë dërguar 111 informata dhe procedime penale për 172 persona. Në Policinë e Kosovës janë dërguar 13 informata për 8 persona, ndërsa në organet respektive janë dërguar 16 kërkesa për fillimin e procedurave administrative për shkeljet për 25 persona”, ka njoftuar Havolli.
Ai në publikimin e raportit vjetor ka thënë se gjatë vitit paraprak AKK ka trajtuar 313 raste.
“Për vitin 2020 i kemi diku 22 aktgjykime dënuese dhe 1 aktgjykim lirues në lidhje me punën dhe aktivitetin me Prokurorinë dhe gjykatat që lidhen me rastet e Agjencisë Kundër Korrupsion. Sa i përket çështjes së sinjalizimit edhe këtë Agjencia Kundër Korrupsion i ka pasur diku 5 raste që lidhen me sinjalizim të jashtëm dhe të gjitha ato raste janë trajtuar dhe kanë marrë epilogun përfundimtar. Po ashtu edhe personat përgjegjës në institucione kanë sjell raportin e tyre në lidhje me punën e sinjalizimit të brendshëm dhe kanë raportuar 129 persona përgjegjës sa i përket çështjes së sinjalizimit”, ka shtuar ai.
Havolli tha se 5,693 zyrtarë kanë deklaruar pasurinë gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që kontrollit të plotë i janë nënshtruar mbi 950 prej tyre.
“Sa i përket parandalimit të konfliktit të interesit, këtu kemi pasur një numër të madh të rasteve që lidhen me çështjen e parandalimit të konfliktit të interesit, për zyrtarë të lartë, për autoritete përgjegjëse. Janë iniciuar 160 raste për konflikt interesi nga Agjencia kundër Korrupsion. Ndërsa, sa i përket autoriteteve përgjegjëse, ka qenë edhe një numër i madh që kanë trajtuar në këtë fushë. Janë 77 raste që lidhen me autoritetet përgjegjëse në institucione”, ka deklaruar Havolli.
Mes tjerash, drejtori i Agjencisë kundër Korrupsion, Shaip Havolli ka bërë të ditur që deri nesër, zyrtarët e lartë kanë mundësi që të deklarojnë pasuritë e tyre. /KP/