Akuza për zgjedhje të paligjshme të Bordit të Drejtorëve në “Trafikun Urban”

Linjë e trafikut urban të Prishtinës

Gjatë kohës kur Prishtina ka nisur procedurat për blerjen e 30 autobusëve të rinj, Komuna po akuzohet për shkelje të të gjitha rregullave gjatë përzgjedhjes së bordit të ri të drejtorëve të “Trafikut Urban”.

Me emërimin e bordit të ri të kësaj ndërmarrjeje në muajin shkurt janë shfaqur pakënaqësi nga disa aplikantë.

Anëtari i bordit paraprak të drejtorëve, Genc Broqi, i cili kishte aplikuar për një mandat të dytë në gusht të vitit të kaluar, ka thënë se janë bërë parregullsi gjatë konkursit, të cilat vazhduan edhe me zgjedhje të bordit në mënyrë jo të ligjshme.

Reklama e sponzorizuar

Broqi pretendon se i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara në konkurs.

“Unë mendoj se është bërë në mënyrë të parregullt, janë thyer të gjitha rregullat, sepse normalisht duhet të bëhet short-lista, të ftohen kandidatë, të mbahen intervista, por edhe nëse nuk jeni në listë duhet të bëhet përzgjedhja dhe t’ju njoftojnë se nuk jeni kandidat i suksesshëm. Ne nuk kemi marrë asnjë informatë dhe unë mendoj se është bërë shkelje me këtë rast.”

Përveç kësaj, Broqi mendon se me përfundimin e mandatit të kaluar është bërë edhe një shkelje tjetër.

“Mandati ka përfunduar me rregull. Kemi marrë e-mail nga aksionarët të cilët na kanë njoftuar se mandati ka përfunduar dhe duhet të ndërpriten të gjitha aktivitetet dhe aty mendoj se është bërë shkelje, sepse është dashur të jemi bord në detyrë deri në përzgjedhjen e bordit tjetër. Kështu, Trafiku Urban ka muaj që ka funksionuar pa bord.”

Ai nuk e ka lënë me kaq këtë çështje, duke dorëzuar ankesë në Inspektoratin e Punës, nga i cili pret zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi.

Në Inspektorat janë paraqitur edhe 3 ankesa të tjera, duke u pretenduar se janë bërë parregullsi gjatë përzgjedhjes së emëruesve të rinj.

Mirëpo, Inspektorati ende nuk ka marrë ndonjë vendim për to.

“Inspektorati i Punës ka pranuar ankesat e palëve, Mirlinda Ahmeti e dorëzuar fizikisht në IP më datë 08/03/2021, Ymer Pacolli, Genc Broçi, Jeton Oruçi, në Zyrën e koordinatorit për regjionin e Prishtinës, në lidhje me konkursin publik të shpallur nga N.P.K. “Trafiku Urban”, të datës 12-08/2020 me seli në Prishtinë, mosnjoftim nga Komisioni përzgjedhës, as nga Komuna, lidhur me procedurat e zhvilluara për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të N. P. K. “Trafiku Urban”, me seli në Prishtinë. Me vendimin Nr. 14-020/04 janë përzgjedhur anëtarët e Bordit N.P.K. “Trafiku Urban”, kurse ankuesit e lartcekur nuk janë përzgjedhur, andaj edhe kanë bërë ankesë në IP me arsyetim se janë shkelur dispozitat ligjore gjatë rekrutimit të kandidatëve për anëtarë të Bordit. Inspektorati i Punës do t’i trajtojë ankesat në afatin ligjor, bazuar në Ligjin Nr. 03/L-017. Për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin e Punës Nr. 2002/9.”

KOHA është munduar të marrë një përgjigje nga anëtarët e Komisionit Komunal të Aksionarëve, Genc Bashota, Adrian Berisha dhe Bukurie Canolli, mirëpo një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Aurora Sherifi, Elvira Ibhraimi-Hoti, Florent Maliqi dhe Xhevdet Duka janë katër anëtarët e rinj të Bordit të drejtorëve.