Mosrespektimi i Udhëzimit për Rregullimin e Çmimit të Barnave i nxjerrë në vitin 2019, po ua mundëson kompanive farmaceutike që të abuzojnë me çmimet.
Ofertat me çmime jo normalisht të larta ka bërë që vitin e kaluar të anulohen shumë tenderë në shëndetësi, përfshirë edhe tenderët për furnizim me vaksina sezonale.
Çmime shumëfish më të larta se ato reale kanë ofertuar kompanitë farmaceutike edhe në një tender për furnizim me barna në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Oferta në këtë tender ka pasur deri në 300 për qind më shumë se buxheti i planifikuar.
Ofertat astronomike kanë bërë që tenderi të anulohet nga e SHSKUK-ja, por pacientët do të mbesin edhe një kohë pa disa lloje barnash pikërisht për këtë arsye.
394 mijë euro sa ka në dispozicion ky institucion për ampulën heparin natrium, por oferta e dorëzuar kap vlerën gati 1 milion euro.
Për një ampulë, një kompani farmaceutike ka ofertuar me çmim rreth 12 euro. Shumë më shtrenjtë sesa kushton e njëjta ampulë në vendet e rajonit. Në Mal të Zi ky lloj bari kushton 2 euro e 70 centë, në Greqi 4 euro e 35 centë, në Bullgari këtë bar e ka në treg me vlerë 5 euro e 82 centë e Serbia me çmimin 3.21 centë.
Ligjërisht kompanitë farmaceutike do të duhej që t’i deklaronin çmimet për secilin bar në Ministrinë e Shëndetësisë.
Kompania që ka ofertuar me çmim rreth 12 euro për ampulë në këtë institucion, çmimin e këtij bari para disa muajsh e ka deklaruar 4.14 centë.
Historikisht MSh-ja e ShSKUK-ja janë përfshirë disa herë në abuzime me çmime të barnave.
“KOHA” përmes një hulumtimi pati gjetur se këto institucione kishin kontraktuar barna edhe me çmime rreth 2000 për qind më shumë se ato reale.