Anija gjigante e bllokuar në Kanalin e Suezit, që është ndër rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë, është duke shkaktuar humbje të mëdha për kompanitë transportuese të mallrave.
Disa anije janë detyruar të kthehen dhe të lundrojnë në vija shumë më të gjata, duke shkaktuar gati dyfishim të çmimit të transportit të naftës.
Anija e gjatë 400 metra është bllokuar në kanal që nga e marta dhe përpjekjet për ta liruar atë nga brigjet e kanalit deri më tani nuk kanë dhënë rezultat. Procesi mund të zgjasë disa javë edhe për shkak të motit të papërshtatshëm.
Bllokimi i kanalit nga anija shumë e madhe e ka përkeqësuar gjendjen në tregun aziatik të naftës për shkak të ndërprerjes së dërgesave drejt Perëndimit. Mbi 60 për qind e transportit të naftës nga Azia në Evropë bëhet përmes këtij kanali, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Mbi 30 anije transportuese të naftës janë duke pritur në të dyja anët e kanalit që nga dita e martë. Mbi 20 anije u panë të ankoruara në brigjet e Portit “Said” të premten në mëngjes.
Së paku dy anije transportuese që kishin planifikuar të kalonin nëpër Kanalin e Suezit pritet ta vlerësojnë vazhdimin e lundrimit të gjatë përreth Afrikës, duke kaluar nëpër skajin jugor të saj, për të vazhduar nëpër ujërat e Oqeanit Atlantik.
Të enjten, kostoja e transportimit të karburantit të pastër nga porti rus, Tuapse, në Detin e Zi, për në Francën jugore u rrit nga 1.49 dollar për fuçi në 2.58 dollarë për fuçi.