BE 13 milionë euro për Ballkanin Perëndimor për përballimin e pandemisë së COVID-19

Komisioni Europian paraqiti një paketë prej 530 milionë eurosh në mbështetje financiare shtesë përmes Fondit te Solidaritetit të BE-se (EUSF), sipas faqes së Komisionit Europian, ec.europa.eu.

Ai do të kontribuojë në përpjekjet e vendosura nga 17 shtetet anëtare, Austria, Belgjika, Kroacia, Çekia, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Portugalia, Rumania, Spanja dhe tri vendet drejt anëtarësimit Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia për të mbrojtur shëndetin publik në luftën kundër koronavirusit.

Reklama e sponzorizuar

Ky financim do të mbështesë një pjesë të shpenzimeve të tyre publike për pajisjet mjekësore dhe personale të mbrojtjes, mbështetjen emergjente për popullatën dhe masat e parandalimit, monitorimit dhe kontrollit të përhapjes së sëmundjes.

Komisionerja për Kohezionin dhe Reformat, Elisa Ferreira tha se ”Fondi i Solidaritetit të BE-së është një demonstrim konkret i solidaritetit europian në veprim. Që nga krijimi i tij, ai ka ofruar ndihmë dhe lehtësim efektiv për miliona njerëz gjatë kohërave të vështira. Vitin e kaluar, ne zgjeruam fushën e tij për të mbuluar emergjenca të mëdha shëndetësore. Tani ne po propozojmë të mobilizojmë asistencën financiare lidhur me koronavirusin. EUSF edhe një herë është duke përmbushur misionin e tij kryesor”.

Paketa e ndihmës e propozuar sot përfshin gjithashtu 132,7 milion euro të paradhënieve të marra tashmë nga Gjermania, Irlanda, Greqia, Spanja, Kroacia, Hungaria dhe Portugalia.

Mobilizimi i pagesave përfundimtare të EUSF për 17 shtetet anëtare bazohet në një vlerësim të plotë të aplikimeve të paraqitura, duke siguruar qëndrueshmëri në qasjen dhe trajtimin e barabartë, shkruan ATSh.

Kontributi financiar i propozuar nga Komisioni tani duhet të miratohet nga Parlamenti Europian dhe Këshilli. Ndihma financiare do të disbursohet për vendet aplikuese.

”Solidariteti i BE-se me Ballkanin Perëndimor në luftën kundër COVID-19 vazhdon.

Komisioni i BE-se ka propozuar më shumë se 13 milion euro nga Fondi i Solidaritetit të BE-se për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë për të mbuluar kostot e valës së parë pandemike”, tha në një postim në Twitter drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz Calavera.