Bizneset e Kosovës kanë paralajmëruar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të sjellë rritje të çmimit të produkteve dhe shtrenjtim të çmimeve dhe të jetës.
Bizneset kanë kërkuar rishqyrtim të bazës ligjore të liberalizimit të këtij tregu.
Siç ka raportuar KOHA ditë më parë, mbi 100 biznese të mëdha në vend që janë të kyçura në tensionin 10 ose 35 kilovoltë kanë afat deri më 1 prill që të nënshkruajnë marrëveshje me ndonjërën nga kompanitë e licencuara për furnizim me energji. Kjo pasi nga kjo datë ato do të dalin në kategorinë e konsumatorëve me çmim të çrregulluara. Por, bizneset thonë se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të rrisë koston e energjisë elektrike për rreth 40 për qind.
Në një diskutim mes përfaqësuesve të biznesit dhe deputetëve, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se është viti i tretë me radhë që diskutohet për një sfidë që po u paraqitet bizneseve.
“Kosova ka miratuar një pako ligjore e cila i ka hapur rrugë liberalizimit të tregut të energjisë. Kur është miratuar kjo pako është proklamuar si rritje e integrimit të Kosovës në proceset e tregut të energjisë dhe integrimit në Evropë. Barrën për implementimin e kësaj pakoje, që quhet pakoja e tretë, e ka pasur rregullatori dhe e ka. Është viti i tretë me radhë që i ka njoftuar një pjesë të kompanive që duhet të nënshkruajnë kontrata me furnizues të energjisë që aktualisht janë në treg dhe të marrin një çmim që është i derregulluar. Atëherë me përkrahjen e parlamentit, Komisioni Funksional i është drejtuar me letër rregullatorit i cili ka marrë vendim ta shtyjë. Tash, situata është më e komplikuar. Numri i kompanive që duhet të dalin në tregun e derregulluar tash është më i madh dhe dëmi është më i madh për to. Këto kompani të mëdha janë taksapaguesit më të mëdhenj të shtetit. Rritja e këtij çmimi ndikon në rritjen e çmimit të produkteve e që kjo ndikon në shtrenjtimin e çmimeve dhe jetës në Kosovë. Çmimi i derregulluar në çdo rrethanë do të jetë më i shtrenjtë se çmimi i rregulluar. Liberalizimi implikon dy çështje për bizneset: rritje të çmimeve për konsumatorët dhe humbje të tregut”, ka thënë Rukiqi.
Në anën tjetër, Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve ka kërkuar që të ketë shqyrtim të komplet bazës ligjore.
“Bizneset nuk janë gati për liberalizim të tregut. Mënyra e liberalizimit është dizajnuar në mënyrë të gabuar. Unë e kuptoj pozicionin e ZRRE-së, por në këtë rast po cenohet interesi publik sepse po cenohen vendet e punës. Jo vetëm shtyrje po duhet të shqyrtohet komplet baza ligjore e këtij liberalizimi. Kemi gabuar në hapa dhe duhet ta rishikojmë bazën ligjore”, ka thënë ai.