Të shpeshta janë ankesat e qytetarëve sa i përket çmimeve të derivateve, por edhe cilësisë së saj.
Edhe pse gjatë këtyre ditëve qytetarët arritën të furnizohen me derivate me çmime në një çmim më të konvenueshëm, gjatë javëve në vazhdim pritet të ketë rritje të këtyre çmimeve.
I kontaktuar nga lajmi.net, Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani deklaroi se çmimet në import kanë pasur rritje edhe gjatë këtyre ditëve, por që ato me pakicë nuk kanë pasur dhe janë të njëjta prej sa ditësh.
Tani për tani çmimet janë kësisoj në nivel vendi: Dizell, 1 euro deri në 1.08 cent kurse Benzina 1 euro e tre cent deri në 1.09 cent.
“Çmimet në import kanë pasur rritje, ndërsa me pakicë nuk janë rritur. Të njëjtat çmime janë qe disa ditë. Pritet të ketë rritje të çmime, por do të jetë një rritje e lehtë”, tha Berjani.
Tutje i njëjti deklaroi se sa i përket cilësisë së derivateve me të cilat shërbehen qytetarët e Kosovës janë të njëjta sikur në shtetet tjera në regjion.
“Qytetarët e Kosovës janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut që e kanë dizellin më të lirë shkaku i akcizës më të ulët për 22 cent. Çmimet në Shqipëri: Dizelli 1.28 cent, Benzina 1.29 cent”, shtoi ai.
Në një intervistim të bërë nga lajmi.net kohë më parë shumë prej qytetarëve janë deklaruar të pakënaqur sa i përket cilësisë së naftës në vend.
Madje një prej tyre që ishte në Kosovë vetëm për pushime pati deklaruar se ka bërë krahasimin dhe e ka kuptuar se shpenzon shumë më shumë naftë gjatë kohës sa furnizohet në Kosovë sesa në vendin ku jeton.
Por shkak i këtyre derivateve të dobëta me të cilat po furnizohen qytetarët në vend shpesh herë kanë pësuar dëme të mëdha në veturat e tyre. Kësisoj investimi në rregullimin e probleme të veturave si shkak i derivateve është edhe më i madh.
Madje lajmi.net më parë ka raportuar edhe për cilësinë e dobët të naftës nga një dëshmitarë i cili tregoi hapur se si po bëhet përzierja e saj me vajra ushqimore, vajra motorike dhe vajin e gomave të djegura duke e përzier me naftë e duke iu shitur më vonë qytetarëve.
Pavarësisht kësaj, kontrolli në derivatet e automjeteve vazhdon të jetë mjaftë i vogël e si për pasojë e pa-kualitet vazhdon t’u servohet shoferëve që duhet t’i furnizojnë automjetet me patjetër.