Donika Gërvalla i ka gjetur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dy zyrtarë që i janë prezantuar si drejtorë të përgjithshëm: diplomatin e rangut të mesëm, Visar Fetaj, si dhe ambasadorin Albert Prenkaj. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ia njeh të drejtën për këtë pozitë ambasadorit Prenkaj, por burime të KOHËS thonë se në takimin me drejtorë të të gjitha departamenteve, Gërvalla afër pati Fetajn. Në shoqërinë civile thonë se ky realitet tregon për shkallën e politizimit të stafit profesional dhe atij diplomatik.
Ndërkaq, vitin e shkuar, ministrja Haradinaj e pati larguar nga kjo pozitë ambasadorin Prenkaj. Por, në fund të shkurtit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i hodhi poshtë të gjitha vendimet kundër tij dhe obligoi Ministrinë ta kthente në detyrën e drejtorit të përgjithshëm.
Përkundër kësaj, ministrja e re ka vepruar në shpërputhje me këtë vendim.
Burime të KOHËS thonë se në takimin me drejtorë të të gjitha departamenteve, afër pati Fetajn, e demonstrativisht sallën e lëshoi ambasadori Prenkaj.
Mungesa e ambasadorit shihet edhe në këtë foto, të publikuar pas pranimit të detyrës nga ministrja Gërvalla.
Ambasadori Prenkaj nuk ka pranuar të flasë për situatën e krijuar dhe ka sugjeruar që pyetje për këtë t’i adresohen Ministrisë. E, Ministria nuk ka ofruar përgjigje në pyetjet që i janë dërguar.
Në shoqërinë civile thonë se ky realitet tregon për shkallën e politizimit të stafit profesional dhe atij diplomatik.
“Është një tregues i situatës që ekziston brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, por edhe Shërbimit Diplomatik të Kosovës, ku realisht ka pasur në mënyrë të vazhdueshme shkelje ligjore nga individë me influencë politike dhe me përkrahje prej subjekteve të caktuara politike, që e ka krijuar njëfarë situate ku ka mungesë të meritokracisë dhe ku arritjet bëhen në bazë të përkrahjes politike”, ka thënë Butrint Berisha, hulumtues i politikave në PIPS.
Berisha shtron nevojën që qeveria e re të ndërmarrë reforma të brendshme në kuptim të depolitizimit.
E, në kuptim të politikave makro përmend rolin që ky institucion duhet të ketë në dialogun me Serbinë dhe te raportet me shtete që ende nuk ia kanë njohur pavarësinë Kosovës.
“Duhet të jetë një aktivitet më intensiv në raport me shtetet që nuk na njohin, me shtete mosnjohëse, pasi që edhe aty ka shtete të caktuara që janë të gatshme të bëjnë hapa përpara. Të ketë një thellim të raporteve diplomatike, si mënyrë për të shtruar rrugën para kalimit në një fazë tjetër që mund të jetë njohja diplomatike de-jure”, ka shtuar ai.
Në mandatin e shkuar nuk është parë aktivitet diplomatik nga Kosova.
Por, dinamikë ka pasur brenda Ministrisë. Zyrtarë të saj vazhdimisht kanë denoncuar shkarkime, emërime e gradime të bëra jashtëligjshëm.