Fluksi i qytetarëve për paraqitjen e provimit teorik për patentë shoferë, MI: Ekzaminerët nuk patën licenca për një vit

Rreth 600 qytetarë po ia mësyjnë për çdo ditë Qendrës për Patentë Shofer në Prishtinë. Ata për një kohë të gjatë nuk kanë arritur që ta paraqesin testin teorik për patentë shoferë. Kjo për shkak të mungesës së licencimit të ekzaminerëve nga Ministria e Infrastrukturës. Nga kjo e fundit po thonë që tani janë duke punuar me kapacitete të plota. E nga Federata e Autoshkollave po ankohen se MI-ja u ka shkaktuar dëme të konsiderueshme nga kjo vonesë.

Për një kohë të gjatë asnjë qytetarë nuk ka pasur mundësinë që ta paraqes testin teorik për patentë shoferë. Kjo për shkak se Ministria e Infrastrukturës nuk ka arritur që t’i licencojë pyetësit teorik. E pas licencimit të tyre, qytetarët kanë vërshuar në Qendrën për Patentë Shoferë në Prishtinë. Madje për shkak të pandemisë Covid-19, MI-ja është detyruar që të hartojë një orar duke u bazuar në shkronjën e parë të mbiemrit të kandidatit.

Qytetarë të shumtë duke pritur para Qendrës për Patent Shofer në Prishtinë

Nga kjo ministri kanë konfirmuar për Express, se rreth 600 kandidatë janë duke aplikuar për çdo ditë për paraqitje të provimit teorik.

Reklama e sponzorizuar

“Organizimi i paraqitjes është duke vazhduar sipas orarit të cilin e kemi publikuar në ëeb faqe të Ministrisë, por ky numër i kandidatëve është duke u menaxhuar, dhe besoj gjatë ditëve në vijim do të zvogëlohet . Kjo situatë ka ardhur për shkak se një kohë nuk kemi mbajtur provime nga teoria, për shkak se nuk kanë pasur licencë valide pyetësit teorik ( që mbajnë provimin ). Ne jemi duke pranuar afërsisht 600 aplikantë në ditë për paraqitje të provimit teorik në Prishtinë, jemi duk punuar me staf maksimal të angazhimit”, thuhet në përgjigjen e tyre për Express.

E nga kjo situatë dëme të konsiderueshme po vlerësohet se kanë pësuar autoshkollat që operojnë në vend. Të paktën kështu ka deklaruar për Express kryetari i Federatës së Autshkollave, Xhemshit Cakolli. Ai ka fajësuar MI-në për situatën e krijuar me paraqitjen e testit

“Fajtor është Ministria e Infrastrukturës që nuk i ka kryer punët e veta si duhet. Problemi ka qenë mungesa e ekzaminerëve që vitin e kaluar u ka skaduar licenca. Mi-ja nuk i ka licencuar më ata ekzaminera dhe për atë arsye kemi këtë fluks”, ka thënë ai.

Sipas Cakollit probleme të tilla kanë pasur edhe përgjatë vitit 2019.

“Për një vit ka pasur shumë dëme, sepse kandidatët nuk kanë ardhur për t’i tërhequr dokumentet, as për regjistrim. Dëmtimi ishte evident. Krejt problemi është te MI-ja që nuk i ka kryer punët e veta. Në mungesë të ekzaminerëve nuk ka pasur as paraqitje të provimeve teorike. I njëjti problem ka qenë edhe në vitin 2019 e pastaj edhe në 2020. Puna jonë ka vazhduar dhe kështu kandidatët janë grumbulluar”, ka thënë më tutje Cakolli për Express.

Radhë të gjata të kandidatëve duke pritur për paraqitjen e testit teorik për patentë shofer

Express ka provuar që të kontaktojë edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme lidhur me lëshimin e lejeve të vozitjes por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.