Gastronomët paralajmërojnë protestë nëse Qeveria ashpërson masat pa u koordinuar me ta

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka paralajmëruar protesta nëse Qeveria ashpërson masat anti-COVID pa u koordinuar me të.

Arian Vranica nga kjo Shoqatë ka thënë se kanë pasur takim me përfaqësues të Vetëvendosjes ku presin që bashkëpunimi të jetë transparent dhe që vendimet të merren në koordinim edhe me këtë sektor.

“Para prezantimit ofertues nga ana e shoqatës tonë, për Qeverinë e Kosovës, po kthehemi me datën 8 shkurt ku kemi realizuar në zyrat tona takime me përfaqësuesit e LVV-së, dhe një prej pikave që janë diskutuar ka qenë edhe bashkëpunimi në vendimet e ardhshme që mund të prekin interesat e sektorit të gastronomisë, kjo ka të bëjë me masat ekonomike dhe mos përhapjen e Covid-19. Dhe krejt kjo nuk është në rregull me paralajmërimet e njëanshme ku thirren për ashpërsim të masave. E kuptojmë shumë mirë gjendjen me pandeminë, por duhet të kemi parasysh që edhe ata nuk patën kujdes gjatë kohës së fushatave”, tha Vranica për Ekonomia Online. “Ne kemi uruar Qeverisë së re dhe kryeministrit detyrën e re, dhe duke shpresuar që të mos përsëriten referencat e dikurshme dhe vendimet të merren në mënyrë të njëanshme. Duhet të kemi qasje më të kujdesshme për veprimet tutje sepse jemi shumë të revoltuar dhe nuk kemi preferenca për asnjë subjekt politik, dhe nëse do ketë prapë një qasje të tillë do përdorim format tona pa përjashtuar këtu edhe protestat”.

Reklama e sponzorizuar