Mbi 100 biznese të mëdha që janë të kyçura në tensionin 10 ose 35 kilovoltë kanë rreth 20 ditë që të nënshkruajnë marrëveshje me ndonjërën nga kompanitë e licencuara për furnizim me energji.
Kjo pasi nga 1 prilli ata do të dalin në kategorinë e konsumatorëve me çmim të çrregulluara.
Por, bizneset thonë se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të rrisë koston e energjisë elektrike për rreth 40 për qind.
“Kemi lobuar që kjo të shtyhet pasi që kushtet nuk janë pjekur për një derregullim të tregut të mirëfilltë dhe kompanitë që janë aktive, apo të licencuara për të ofruar shërimin e energjisë, ato akoma nuk mund të ofrojnë këtë shërbim, pasi shumica e tyre nuk kanë as zyre. Në kohë të fundit, ne kemi marrë një përgjigje nga KESCO të cilët kanë ofruar një ofertë që nuk është zyrtare, por më shumë si përshkrim. Kemi vërejtur se çmimi është rritur nga 40-70 për qind për kompanitë varësisht nga shpenzimet që kanë”, ka thënë Visar Ramajli nga kompania “KIVO”.
Bizneset po kërkojnë edhe një shtyrje së paku për një vit edhe për shkak të situatës me pandeminë.
“Çdo rritje e kostos së energjisë do t’i shtyjë kompanitë që të ulin shpenzimet operative dhe kam frikën që kjo do të ndikonte edhe në vendet e punës. Duhet të shihen mundësitë alternative, që këtë diferencën nëse nuk ka mundësi të rregullohet, të subvencionohet”, ka thënë Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë kanë bërë të ditur se janë 8 kompani të licencuara për furnizim me energji.
Por që, sipas saj, përveç KESCO-s deri më tani nuk kanë marrëveshje për furnizim me ndonjë nga konsumatorët që kanë dalë në treg.
“Për shkak të ofertave të limituara, dy nga konsumatorët që tashmë janë në tregun e lirë, kanë vazhduar marrëveshjet me furnizuesin paraprak (KESCO). Megjithatë Rregullatori pret që me rritjen e kërkesës, nga dalja në tregun e lirë të më shumë konsumatorëve do të shtohen edhe ofertat nga të licencuarit e tjerë, duke mundësuar funksionimin e tregut të lirë siç përcaktohet me Legjislacionin në fuqi, i cili është në përputhje me direktivat e BE-së dhe Traktatin e Komunitetit të Energjisë, palë nënshkruese e të cilit është edhe Republika e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Se nuk kanë marrëveshje me kompani e pranojnë edhe vetë të licencuarit.
Ridvan Selimi nga kompania “GSA Energji” ka thënë për KOHËN se tash për tash nuk janë të gatshëm për të ofruar furnizim me energji.
“Kemi pasur kërkesa të shumta nga kompani të mëdha në Kosovë për furnizim me energji elektrike. Por për momentin nuk jemi të gatshëm për të ofruar shërbime, pasi ende jemi duke investuar që të mund të ofrojmë ato. Për çmim nuk dihet sa do të jetë pasi duhet që të ketë një përllogaritje për kërkesën e kompanisë brenda muajit apo edhe kohëzgjatjen e kontratës”, ka thënë Selimi.
Ndërsa Fatbardha Bytyçi, pronare e kompanisë “Fuente Dynamics”, ka thënë se tashmë janë duke negociuar me disa kompani për të ofruar këtë shërbim, por që ende nuk kanë marrëveshje me to.
“Ne jemi të gatshme për të ofruar furnizimin me energji. Jemi në negociata me disa kompani të mëdha, por ende nuk kemi marrëveshje me to, besoj që do ta bëjmë në ditët në vazhdim. Për çmime nuk mund të flasim, pasi që është ende herët dhe se kjo varet nga kushtet që do të përcaktohen gjatë negocimit me kompani”, është shprehur ajo.
Aktualisht, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është jofunksional, pasi që tre anëtarëve iu ka skaduar licenca.