Hoti: Po shqyrtohet mbajtja e mësimit online duke filluar nga 22 marsi

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka njoftuar se është duke u shqyrtuar mbajtja e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme duke filluar nga 22 marsi.

Hoti ka shtuar se vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së , IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se pas takimit me Ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani, drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe zëvendës Ministrin e Arsimit Xhavit Rexhaj, kanë vendosur që të mbesin në fuqi masat e njëjta kundër Covid-19, pasi që trendët janë stabile.

Reklama e sponzorizuar

“ Edhe një herë kërkuam nga qytetarët që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale. Ndërsa nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të masave kundër Covid -19, që të ngrisin nivelin e angazhimit përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi. Përkundër ngarkesave, institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota dhe furnizimi me barna është stabil. Ndërsa Komiteti për Imunizim dhe institucionet përkatëse janë duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që sapo të arrijë kontingjenti i parë i vaksinës COVAX, menjëherë të filloj vaksinimi i qytetarëve”, ka thënë ai.