Çdo ditë, nga orët e hershme të mëngjesit e deri në orët e vona të mbrëmjes janë duke zhvilluar aksion inspekcioni dhe Policia e Kosovës, për t’i gjobitur taksitë që operojnë ilegalisht në Prishtinë, tha në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Inspekcionit në këtë komunë, Adonis Tahiri.
“Aksione të tilla kemi në vazhdimësi qoftë që iniciohen nga ana jonë, qoftë nga ana e Policisë së Kosovës. Ditëve të fundit kemi pasur aksion me stacionin veriu për pjesën që e mbulojnë ata kurse gjatë kësaj jave jemi në aksion përmes një plani operativ të organizuar nga stacioni qendër i Policisë së Kosovës, gjegjësisht Njësiti i Trafikut, po i monitorojmë stacionet e trafikut urban dhe po i identifikojmë dhe gjobitim taksistët ilegalë si dhe taksistët të cilët ju takojnë firmave të caktuara, mirëpo edhe ata janë ilegalë për shkak se e tejkalojnë numrin e veturave që ju lejohet, dhe kësisoj që nga orët e hershme të mëngjesit e deri në orët e vona të mbrëmjes çdo ditë disa ekipe tona, janë të angazhuar bashkë me Policinë e Kosovës për ta monitoruar këtë pjesë të trafikut”, tha ai.
Sa i përket numrit të gjobave deri më tani që janë dhënë për këto vetura, ai tha se nuk ka të dhëna të sakta pasi operacioni është duke vazhduar.
“Numrin e saktë të gjobave nuk e di, për shkak se janë duke u shqiptuar në vazhdimësi duke e pasur parasysh që ka një numër të madh të taksistëve që frekuentojnë nëpër stacione gjatë gjithë kohës, kurse ditën e përfundimit dihet por nuk mund ta tregoj sepse ndoshta po të njëjtën ditë mund të zhvillojmë plan tjetër operativ një ditë më pas, kështu si aktivitet do jetë i vazhdueshëm gjatë gjithë kohës”, theksoi tutje ai.
Tahiri tha që krejt këto veprime të taksive ilegale, por edhe të firmave të tjera shkaktojnë probleme të mëdha në trafik. Tutje ai theksoi që automjeti i tyre nuk do kthehet, deri në pagesën e gjobës.
“Sigurisht se shkaktojnë probleme të mëdha në trafik, si në linjën një e në linjën katër, problemi më i madh në këtë mes është që një pjesë e madhe e tyre posedojnë leje p.sh të Fushë-Kosovës që është komunë tjetër dhe sjellin udhëtarë nga atje në Prishtinë pastaj ne kemi të drejtë t’i ndalojmë momentin e kthimit të tyre, pra nuk mund të marrin udhëtarë nga Prishtina dhe kësisoj si pika të kontrollit në vazhdimësi i kemi zgjedhur disa prej stacioneve më strategjike ku frekuentimi i tyre është më i madh si p.sh tek Katedralja e te Rrethi i Flamurit, në mënyrë që të identifikojmë sa më shumë prej tyre dhe të marrim masa. Secilën herë që shqiptohet gjoba i konfiskohen targat ose komplet automjeti, dhe nuk do t’i kthehen deri të bëhet pagesa e gjobës”, deklaroi ai.