Investimet e huaja në Shqipëri ranë me 13% më 2020

Investimet e huaja në vitin 2020 ishin 933 milionë euro, sipas statistikave të bilancit të pagesave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në raport me një viti më parë, investimet ranë me 13%.

Teksa 2020-a ishte një vit pandemik, tkurrja gjithsesi mbetet e moderuar dhe më e fortë ishte në tremujorin e parë. Investimet u mbajtën në këmbë sërish nga projekti më i madh në vend, ai i gazsjellësit TAP, që në 2020-n ishte në fazën përfundimtare të tij. Aktiviteti i “Energjia elektrike, gazi, dhe furnizimi me ujë” solli, sipas Bankës së Shqipërisë, 28% të totalit (260 mln euro). Gjithsesi, në krahasim me një vit më parë, ky zë shënoi një tkurrje prej 22.4%.

Ecurinë më negative e kishte industria nxjerrëse, investimet e të cilës ranë me 48%, në raport me vitin e mëparshëm, duke zbritur në 134 mln euro. Ky sektor ishte ndër më të goditurit nga kriza pandemike. Bankers Petroleum, i cili shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës dhe është një ndër investitorët më të mëdhenj të industrisë nxjerrëse u prek nga pandemia në pjesën e parë të 2020-s, duke u detyruar të ndërpresë aktivitetin në prill, për më shumë se një muaj, për herë të parë në histori, teksa nafta zbriti në 20 dollarë për fuçi, konsumi global ra dhe aktiviteti i rafinerive partnere u reduktua në minimum. Si pasojë, planet ambicioze të ‘Bankers’ për intensifikim të aktivitetit hidrokarbur u ndalën gjatë kësaj periudhe, duke ndikuar negativisht në planet për hapjen e puseve të reja dhe investimeve.

Reklama e sponzorizuar

Rënia e industrisë nxjerrëse ka kaluar në vend të dytë “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit”. Ndonëse një vit i vështirë, sistemi bankar ka arritur që të ruajë qëndrueshmërinë dhe të ketë një rezultat pozitiv. Investimet e “Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit” u rritën me 15%, duke arritur në 134 milionë euro.

Kriza ka stepur investimet në aktivitetet e pasurive të paluajtshme, që në 2019-n kishin njohur një rritje të ndjeshme. Ky sektor regjistroi investime prej 82 milionë eurosh, me një rënie prej 26%.

Rritjen më të ndjeshme e shënuan investimet në tregtinë me shumicë, që u dyfishuan në 61 milionë euro, ndonëse nisur nga një bazë e ulët.

Pozitive ishte dhe ecuria e investimeve në Industria përpunuese, me rritje 20% në 53 milionë euro.

Investimet në “Informacioni dhe komunikacioni”, dikur një nga më të mëdhenjtë renditet në fund të listës, me një fluks prej 42 milionë eurosh në 2020-n, që gjithsesi është në rritje pas ndryshimit të pronësisë së T (sot One) dhe investimeve nga operatorët për rivovimin e teknologjisë.

Viti 2021 pritet të jetë një sfidë për investimet e huaja direkte për dy arsye:

-Së pari, kanë përfunduar investimet në dy projekte të mëdha, gazsjellësi TAP dhe HEC i Devollit, me vlerë totale përkatësisht 1.5 miliardë dhe 500 milionë euro, që kanë mbajtur në nivele të larta fluksin e viteve të fundit.

-Së dyti, kriza globale e shkaktuar nga Covid-19 pritet të ndikojë negativisht në vendimet për investimet, ose të paktën t’i shtyjë ato./Monitor.al/