Jack Ma ka humbur titullin e personit më të pasur të Kinës, pasi perandoria e tij e biznesit u vu nën vëzhgimin e ri rregullator të vendit.
Themeluesi i Alibaba e ka mbajtur vendin e parë në Listën e të Pasurve të Kinës më 2019 dhe 2020, por ka rënë në vendin e katërt pas prodhuesit të ujit Zhong Shanshan, Pony Ma Huateng të Tencent dhe Huang Zheng të Pinduoduo, përcjell Telegrafi.
Pozita e Masë ra për herë të parë pas tre viteve, “pasi rregullatorët e Kinës frenuan kompaninë Ant Group dhe Alibaba për çështje anti-trust”.
Ma, pasuria personale e të cilit është 55 miliardë dollarë, u zhduk nga sytë e publikut për gati tre muaj pas komenteve të tij rreth rregullave financiare botërore.
“Sistemi i sotëm financiar është trashëgimi e kohës së industrisë. Duhet të vëmë një të re për gjeneratën e ardhshme të rinjve. Duhet reformuar sistemi aktual”, pati deklaruar Ma.
Ai u rishfaq më 20 janar me anë të një videoje prej 50 sekonda, duke iu drejtuar 100 mësuesve në të gjithë Kinën.