Katër persona janë arrestuar të martën lidhur me keqpërdorime në Telekom. Dy prej tyre ishin këshilltarë të ish-minstrave Selim Selimi e Agim Veliu.
Bëhet fjalë për ish-zyrtarët Trim Musliu dhe Armend Osaj. Musliu ishte edhe këshilltar i Selimit. Sipas burimeve në Prokurori, ata dyshohen për keqpërdorim të një kontrate të marketingut.
Burimet kanë konfirmuar edhe arrestimin e Denis Ceman i cili ishte këshilltar i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu. Ndërkaq personi i katër është Kreshnik Musliu, vëllai i Trim Musliut.
Rastin për KOHËN e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. “Sot me 30 mars 2021, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, ku pas kompletimit të rastit do të jepen informacione shtesë”, thuhet në përgjigjen e Policisë
Në serinë e shkrimeve për shkeljet në Telekom, KOHA kishte raportuar në vitin 2018 duke vënë në pah edhe se Trim Musliu, që ushtronte për një kohë të shkurtër pozitën e kryeshefit të Telekomit, kishte përfituar në emër të subvencionimit të kulturës.
Regjisori dhe Producenti i filmit “MALA”, Musliu, ishte punësuar në Telekom në fund të prillit, derisa në qershor ishte vënë në krye të Marketingut të Telekomit. Por, kjo nuk paraqiti problem, që ky departament gjatë kësaj kohe t’ia ndajë 300 mijë e 15 euro kompanisë “Morea SHPK”, që po e realizonte filmin e tij “Mala”. KOHA kishte siguruar faturat e pagesës së kësaj shume që Vala ka bërë në llogarinë e “Morea SHPK”.
Ndërkaq për Osajn, KOHA kishte mësuar se ai si njeri i afërt me AAK-në kishte siguruar pozitën e zyrtarit kryesor të financave, si pjesë e “pazareve” për ndarje të detyrave brenda koalicionit qeverisës atë kohë. Osaj ishte drejtor i Sinalcos, ndërsa përfaqësues i Sinalcos për Kosovën ishte deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj.