Komuna e Prishtinës me tender 50 mijë eurosh për 26 murale

Jo pak mjete janë ndarë ndër vite në emër të artit në hapësira publike, e jo pak vepra janë mbuluar pikërisht me leje të atyre që kanë ndarë buxhet për realizimin e tyre. Por ani pse nuk ka një strategji për realizimin dhe mbrojtjen e tyre, Komuna e Prishtinës vazhdon të ndajë mjete për to. Tash me një tender prej 50 mijë eurosh. Një qasje e tillë kritikohet edhe prej atyre që merren me këtë punë

Komuna e Prishtinës kishte mbështetur Festivalin, produkt i të cilit ishte edhe murali në murin e Fakultetit Filozofik, realizuar në qershor të vitit 2019. Por i njëjti institucion, ende pa u tharë mirë ngjyrat, në korrik të atij viti kishte dhënë leje për fasadimin e ndërtesës duke lejuar mbulimin e punimit.

Udhëheqja e kryeqytetit nuk e ka ndërmend të ndalet në investimet për art në hapësira publike, ani pse jo rrallë është thënë se nuk ka fort politika të qarta për këtë qasje. Se a do t’i ndalë lejet për mbulimin e tyre, mbetet të shihet.

Me 50 mijë e 350 euro, Komuna ka porositur që të punohen 26 murale në hapësira të ndryshme të kryeqytetit. Këtë e ka bërë nëpërmjet një tenderi. Kompania “T Consulting” me seli në Gjilan ka fituar tenderin. Ka listuar 25 artistë vendas e të huaj. Llogaritet që brenda gjashtë muajsh, nga shkurti i këtij viti, veprat të jenë të gatshme. Çmim më i lartë për një mural shkon në 4 mijë e 100 euro. Edhe në buxhetin e sivjetmë, sikurse viteve të fundit, për “art në hapësira publike” janë ndarë 100 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

Por, tenderi i fundit si mënyrë e “kontraktimit” të veprave të artit për hapësira publike nuk është duke u pëlqyer nga vetë ata që merren me organizime të tilla. Pastaj cilësia teknike, e mirëmbajtja janë çështje edhe më e diskutueshme.

Jakup Ferri, Gent Beqiri, Ardit Sheholli e Edona Asllani janë disa nga artistët vendorë që do të angazhohen për t’i punuar veprat e tyre. Muret, hapësirat sportive, e disa trafo të kryeqytetit do të mbulohen me murale. James Jonathan Arthur nga Britania e Madhe, Martin Le Scanf nga Franca e Demosthene Stellas janë midis artistëve të huaj në listën e atyre që kompania i ka përfshirë në tender me kontratën e nënshkruar me Komunën, më 12 shkurt të këtij viti. Kompania e regjistruar në tetor të vitit 2013, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, merret me këshillim të bizneseve, kontabilitet, ambalazhim e shërbime të mirëmbajtjes e kujdesit të shesheve. Përfaqësues i autorizuar i kompanisë dhe pronar i 50 për qind të saj është Fisnik Isufi. Ai ka thënë se synojnë që kontrata të përfundojë brenda afatit. Sa u përket punëve si ato me murale, ka thënë se kanë përvojë me Vitinë.

“Ende nuk është kompletuar ndonjë vepër. Jemi duke bërë përgatitjet. Besojmë se do t’i përfundojmë të gjitha nëse nuk ndikon pandemia ose ndonjë rrethanë tjetër”, ka thënë ai.

Agon Xhelili udhëheq me Qendrën për Zhvillimin e Artit që ka organizuar pesë edicione të festivalit “Guerilla Art Festival”. Ai ka thënë se mundohen ta ndihmojnë Komunën sa i përket artit në hapësira publike. Nuk është ithtar i asaj që muralet të jenë produkt i tenderëve. Ka thënë se nuk kanë për synim monopolizimin e artit në hapësira publike, por sipas tij, qasja duhet të jetë tjetër.

“Duhet të përfshihet komuniteti i cili ka kontribuar. Ideale do të ishte të bëhej strategji ku bëhet një program i veçantë për art në hapësira publike dhe pastaj të angazhoheshin organizata që kanë emër në këtë sferë”, ka thënë ai. Ka përsëritur kërkesën që veprat e artit në hapësira publike të mbrohen me ligj e jo të mbulohen pa kurrfarë llogaridhënie.

“Reklamat favorizohen me ligj e muralet jo”, ka thënë ai.

Zake Prelvukaj ligjëron lëndën e pikturës monumentale në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe midis të tjerash është autore e muralit “Idhulli dardan”, i punuar në lagjen “Dardania” në Prishtinë në vitin 2000.

Ajo ka thënë se nuk është mirë që veprat e artit në hapësirë publike të jenë produkt i tenderëve.

“Ndoshta kjo është mënyra më e mirë juridike, por shteti po dëmtohet. Rruga ‘B’ është bërë shumë e mrekullueshme, por janë dëmtuar shumë shpejt. Jam gëzuar për murale, por po prishen shpejt. Uroj që në këtë rast çdo gjë të bëhet më mirë”, ka thënë Prelvukaj.

Qe festivali ndërkombëtar “Meeting of Styles”, ai i cili më 2017, transformoi “Rrugën B”. Në po të njëjtin vend u rikthye edhe një vit më vonë. Më 2019 u zhvendos te Stacioni i Trenit e vitin e kaluar te rrethrrotullimi në “Lakrishte”.

KOHA i ka adresuar pyetje Adrian Berishës, i cili prej së mërkurës është drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës. Paraprakisht ishte asamblist në Kuvendin Komunal. Por Berisha nuk është përgjigjur.

Investimet e Komunës në murale nëpërmjet festivaleve janë lehtë të vërejtshme në rrugën “B”, në hyrje të qytetit nga ana e Fushë-Kosovës dhe te Stacioni i Trenit. Po ashtu, edhe në disa pjesë të tjera të qytetit. Por, mbulimet e disa prej tyre janë bërë me leje të Komunës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Murali në ndërtesën e Fakultetit Filozofik paraqiste modelisten e njohur Sihana Shalaj. Prishtina, është i vetmi qytet në Ballkan ku autori i kësaj vepre, artisti i lindur në Frankfurt të Gjermanisë, Andres Von Chrzanowski, i njohur me emrin artistik “Case Maclaim” ka lënë gjurmët e tij artistike. “Maclaim Crew” është emri i grupit të tij, të njohur botërisht.

“Jemi para një akti të shëmtuar ku është duke u mbuluar kjo vepër”, kishte thënë Agon Xhelili në janar të këtij viti. Asokohe Adrian Berisha, tash drejtor i Drejtorisë për Kulturë të Komunës së Prishtinës, kishte thënë se edhe për ta është e dhimbshme heqja e muralit, por që në këtë rast duhet të realizohet projekti për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme.

“Por, është më se i rëndësishëm një projekt si ai i efiçiencës. Jemi te dy pika a të mbulohet murali dhe të realizohet projekti i efiçiencës apo të ruhet murali dhe të mos realizohet ky projekt, dhe ta lejojmë muralin aty dhe në këtë rast të humbasin mijëra euro nga Bashkimi Evropian” , kishte thënë Berisha.

Murali i artistit gjerman kishte mbuluar atë që quhej “Simboli i rinisë” i punuar nga artistja Fitore Berisha, Mehmet Dedinja dhe Agron Hajredinaj në vitin 2003. Ndërsa në korrik të vitit të kaluar është fshirë edhe murali tjetër i artistes Fitore Berisha dhe Mehmet Dedinjës, që për 14 vjet kishte qëndruar te objekti i njohur si “Sllovenia e Sportit” në kryqëzimin e rrugës “Agim Ramadani” me atë “Rrustem Statovci”. Veprat ishin realizuar në kuadër të projektit që Berisha kishte nisur në vitin 2002, duke themeluar një organizatë joqeveritare, të cilën e quajti “Mural Art Group”.

Hiç më larg se në janar të këtij viti, Prishtinës iu shtuan disa murale me iniciativa personale të artistëve. Por, tash Komuna ka vendosur që disa të tjerë t’i realizojë me tender.