Komuniteti i Energjisë fillon procedura ndaj Kosovës dhe tri vendeve tjera për termocentralet

Termocentrali "Kosova A"
Tejkalimi i kufijve të ndotjes së ajrit në vitin 2018 dhe 2019 nga termocentralet e vendosura në katër palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë në Ballkanin Perëndimor kanë bërë që Sekretariati i Komunitetit të Energjisë të fillojë procedurat për zgjidhje të mosmarrëveshjeve ndaj këtyre vendeve. Lista përfshinë edhe Kosovën.

Pas paralajmërimit të dërguar në muajin e kaluar, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka filluar procedurat për zgjidhje të mosmarrëveshjes ndaj Kosovës, Bosnes dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Sekretariati pretendon se katër palët kanë dështuar në respektimin e kufijve të përcaktuar të emetimeve të ndotësve në ajër në vitin 2018 dhe 2019 e përcaktuara në planet kombëtare për zvogëlim të emetimeve, apo NERP-të.

Kosova ka dështuar të respektojë kufijtë e lejuar për tre ndotës

Planet kombëtare për zvogëlim të emetimeve (NERP) janë instrumente shtetërore që përcaktojnë objektiva për ulje të emetimeve për dioksidin e sulfurit, oksidet e azotit dhe pluhurin, në pajtim me Direktivën e BE-së për impiante me djegie të mëdha.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa Serbia ka dështuar të respektojë kufijtë e përcaktuar për emetimet e dioksidit të sulfurit, Maqedonia e Veriut përveç dioksidit të sulfurit ka dështuar të respektojë edhe kufijtë për emetime të pluhurit.

Në rastin e Kosovës dhe Bosnës, dy vendet kanë dështuar të respektojnë kufijtë e lejuar për të gjithë tre ndotësit.

Duke dërguar letrat fillestare në kuadër të procesit për zgjidhje të mosmarrëveshjeve, Sekretariati ka inicuar procedurën preliminare në kuadër të procesit, qëllimi i së cilës është t’i ofrojë mundësi palëve kontraktuese të reagojnë në lidhje me pretendimet e Komunitetit të Energjisë.

Palët mund të dërgojnë komentet e tyre brenda dy muajve pas fillimit të procedurës./kosovo.energy/

Komunikatën e plotë të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë mund t’a lexoni duke klikuar këtu.