Në Kosovë janë rritur kërkesat për dhurimin e plazmës konvaleshente, e më së shumti familjarët e pacientëve po kërkojnë ndihmë përmes rrjeteve sociale.
Specialistja Hedije Mahmutaj, në Qendrën e Transfuzionit, në emisionin SOT të KTV-së ka treguar kriteret që i duhet një dhuruesi potencial të plazmës të përmbushë.
“Dhurues i plazmës konvaleshente është personi që e ka kaluar COVID-19 dhe e ndjen veten të shëndetshëm. Kriteret që duhet t’i plotësoj dhururesi është së pari ta plotësoj pyetësorin standard të dhuruesit të rregullt, pra a është i shëndetshëm, a përdor terapi dhe të tjera, më pas e kemi pyetësorin anti-COVID. Dhuruesi 14 ditë nuk duhet të ketë asnjë simptomë prej COVID-19 nga dita e dhurimit. Duhet të ketë një dokument të testit pozitiv të antitrupave. Nëse nuk e posedon këtë test, atëherë kalojnë si dhurues vullnetarë dhe ne i evidentojmë si persona që e kanë kaluar virusin dhe i bëjmë analizat për antitrupa”, ka thënë ajo.
Mahmutaj ka thënë se edhe qytetarët i janë përgjigjur mjaft shumë kërkesave për dhurim, e që fluks të tyre tha se ka pasur të mërkurën e të enjten.
“Kemi pasë përmes rrjeteve sociale kërkesa e apele të shumta. De kemi pasë fluks të madh të dhuruesve të gjakut. Kemi familjarë që vijnë, por janë më shumë të stresuar dhe prej familjarëve nuk mundesh ta marrësh plazmën ndonjëherë për shkak të përkujdesen për të sëmurin”, ka shtuar Mahmutaj.
Ajo ka treguar se dhuruesi ka mundësi që të mos i plotësojë kushtet për plazmë konvaleshentë pavarësisht qëllimit të mirë për të dhuruar.
“Kemi pasë 640 dhurues vullnetarë deri dje që kur ka filluar plazma të përdoret që kanë thënë se e kanë kaluar COVID-19, por vetë 130 prej tyre kanë dalë që i kanë plotësuar kushtet për plazmën”, ka thënë Mahmutaj.