Ligji “reformator” lë qindra pozita vakante në komuna

Ka vetëm gjysmë viti prej kur ka hyrë në fuqi, por Ligji për Zyrtarët Publikë i është nënshtruar procesit të ndryshimit. Ai ka krijuar probleme veçmas në nivelin lokal.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë thënë se ndryshimet po i bëjnë për t’i adresuar disa nga dispozitat që është konfirmuar se nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën, por lanë të hapur mundësinë që të bëhen edhe ndryshime të tjera.

“Me Aktgjykimin nr. KO203/19 datë 13 korrik 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, disa nene të Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë i shpalli se janë në pa pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pas publikimit të këtij Aktgjykimi, Kuvendi i Kosovës me Vendimin e datës 08.10.2020 obligoj Qeverinë e Kosovës që Ligjin 06/L-114 për Zyrtaret Publikë ta harmonizoj me pikëpamjet dhe frymën e Aktgjykimit”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë. “Ndryshimet dhe plotësimet do të jenë plotësisht në frymën e Aktgjykimit KO203/19 të datës 13 korrik 2020 të GJK. Meqenëse jemi në këtë proces mund të ketë edhe ndryshime të tjera të nevojshme”.

Reklama e sponzorizuar

Por, ka një numër dispozitash kushtetuese që kanë prodhuar probleme në nivelin lokal. Kjo ka bërë që ndryshime të kërkojë Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Sazan Ibrahimi, Drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, flet për problemet që ligji ka shkaktuar në komuna.

“Kemi me qindra pozita vakante në nivelin lokal të cilat presin të plotësohen, mirëpo për shkak të këtij ligji, konkurset nuk po mund të hapen. Kolegjiumi ynë profesional i menaxherëve të personelit i ka diskutuar në shumë takimeve me përfaqësues të nivelit qendror gjithashtu, mirëpo është parë që nuk ka qartësi edhe nga niveli qendror, sa i përket zbatimit të Ligjit për zyrtarët publikë”, thotë Ibrahimi. “Edhe me kryetarë të komunave, Këshilli i kryetarëve e ka ngritur këtë çështje si shqetësim jashtëzakonisht të madh, e kemi adresuar në nivelin qendror, gjithashtu në takimin në të cilin ka qenë prezent edhe z. Besnik Tahiri, është kërkuar që të ketë sqarime, sa i përket zbatimit të këtij ligji, mirëpo z. Tahiri është deklaruar se përgjigje sa i përket këtyre dilemave do t’i adresojmë me shkrim, mirëpo deri më sot nuk kemi pranuar ndonjë sqarim nga zëvendëskryeministri në detyrë”.

Problemet e këtilla e kanë burimin tek një nen, i cili kërkon që plotësimi i pozitave të lira në kategorinë profesionale, të ulët dhe të mesme drejtuese, të bëhet së pari nga nëpunësit civilë të së njëjtës kategori, nëpërmjet procedurës së lëvizjes brenda kategorisë. (neni 38)

Visar Rushiti, analist politikash në organizatën D+, ka marrë pjesë në hartimin e ligjit dhe konsideron që ai nuk duhet ndryshuar tani.

“Ligjin për zyrtarë publikë së pari ish dashtë me e lanë me u zbatu. Mendoj që ish dashtë me u koncentru në resurse, në funksionalizimin e departamentit për menaxhimin e zyrtarëve publikë, që tash është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili parasheh një rekrutim të themi të centralizuar për nivelin e administratës shtetërore”, thotë Rushiti. “Mirëpo, të gjithë elementët tjerë, të gjitha dispozitat tjera që i ka ligji, unë po mendoj që ish dashtë me i lënë një kohë me provu zbatimin e tij”.

Ligji për zyrtarët publikë, ai i Pagave, si dhe Ligji për organizimin e administratës shtetërore, përbënin pakon legjislative për reformë në administratën publike. Dy të parat nuk kanë gjetur zbatim dhe kjo ka bërë që edhe reforma në administratën publike të dështojë.

“Po shihet që Ligji për paga dhe Ligji për zyrtarët publikë do të amendamentohen gjatë këtij viti dhe nëse dy ligjet të cilat janë miratuar gjatë vitit 2019 nga Parlamenti i Republikës së Kosovës dhe kanë filluar që të zbatohen, Ligji për zyrtarët publikë në qershor të vitit 2020 dhe ai po shihet që nuk është duke u zbatuar, atëherë nuk e di se si mund të quhet një veprim i tillë i suksesshëm”, thotë Sazan Ibrahimi.

Këtë e thotë edhe Visar Rushiti.

“Realisht është prishur ajo fryma, ajo konsistenca që është menduar në fillim që tri ligje të shkojnë paralel dhe të miratohen paralel dhe tash duhet me pritë plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, dhe eventualisht me ardhë një rregull apo ligj i ri që ka të bëjë me ligjin e pagave në tërë sektorin publik”, thotë Rushiti. “Unë pajtohem që është prishur ai qëllimi i fillimit që me pasë një konsistencë dhe një kohë të njëjtë kur miratohen të tri ligjet që konsiderohen si ligje bazike në reformëne a dminsitratës publike”.

Raporte kredibile, sikur ai i fundit i Komisionit Evropian, gjetën se koordinimi i dobët qendror dhe ndërministror mbetet një sfidë për zbatimin e përgjithshëm të reformës në administratën publike. Në të shprehet shqetësimi për rekrutimet jo të bazuara në meritë./Koha.net/