Nafta tregtohet në rënie të lehtë, por pritet të publikojë fitime për të tetën javë me radhë

Nafta po qëndron në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, por pritet të publikojë fitime javore për të tetën javë me radhë. Tregu vijon të mbizotërohet nga optimizmi për shkak të parashikimeve për rimëkëmbjen e kërkesës, në gjysmën e dytë të vitit.  

Nafta po qëndron në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, megjithatë brenti i Londrës vijon të tregtohet pranë 70 dollarëve për fuçi. Investitorët po e cilësojnë më tepër si një sesion pauze, ndërsa në treg vijon të mbizotërojë optimizmi për rimëkëmbjen e kërkesës në gjysmën e dytë të këtij viti. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 69.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 65.8 dollarë për fuçi.

Brent i Londrës, që është bençmarku global i naftës, pritet të publikojë fitime javore për të tetën javë me radhë. Humori i investitorëve është përmirësuar edhe nga vendimi i OPEC dhe aleatëve të tjerë për të mos rritur kuotat e prodhimit, edhe gjatë muajit prill. Investitorët po zhvendosin fonde drejt lëndëve të para, ku bën pjesë edhe nafta, për shkak të pritshëmrive për rimëkëmbjen e ekonomisë globale.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rezervat e benzinës ranë ndjeshëm gjatë javës së kaluar, kryesisht për shkak të të ftohtit që goditi Teksasin dhe çrregulloi zinxhirin e prodhimit. Ndërkohë, OPEC tha se rimëkëmbja e kërkesës për naftë do të shpejtohet në gjysmën e dytë të këtij viti.