Nis greva e operatorëve të transportit, pezullohen linjat

Shoqata e Transportit të Udhëtarëve (SHTU) njofton që nga sot nuk do të ketë transport të udhëtarëve për së paku për dy ditë në të gjithë vendin deri në përmbushjen e kushteve të marrëveshje të nënshkruar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i SHTU-së, Ruzhdi Kurtishaj ka thënë se të gjithë operatorët i janë përgjigjur kërkesës për grevë dhe se sipas tij, qeveria duhet të reflektojë në mënyrë që ky sektor të futet në pakon financiare të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

“Në zbatim të këshillit drejtues të Shoqatës së Transporti të Udhëtarëve, sot ka filluar greva përkatësisht protesta e të gjithë operatorëve. Vlen të theksohet se është unitet, është një protestë mesë legjitime apo një grevë që vjen pas moszbatimit të marrëveshjes nga ana e Qeverisë së Kosovës, që është negociuar që nga qershori i vitit të kaluar. Qeveria ka kohën e duhur për të reflektuar, apo përmbushur këtë marrëveshje në mënyrë që këto biznese që janë pothuajse të falimentuara të kanë mundësi të funksionojnë dhe të futet në pakon financiare të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19”, tha Kurtishaj, përcjell Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka shtuar se forma e protestës do të shihet gjatë ditëve në vijim.

“Është për keqardhje që komunikimi ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat të jetë kjo rrugë. Ne nuk i kemi dhënë ultimatum qeverisë, i kemi dhënë kohë ku pastaj e kemi nënshkruar këtë marrëveshje. Këto dy ditët e para do të jetë vetëm grevë në kuptim që për shkak të pandemisë të mos e dëmtojmë edhe më tepër qytetarët. Pa vullnetin tonë dhe pa dëshirën tonë kemi qenë të detyruar që t’i futemi kësaj greve, aspak të lehtë e aspak të dëshirueshëm”, ka shtuar ai.

Kurtishaj ka përfunduar se gjatë ditës këshilli drejtues i SHTU-së do të mblidhet për ta shqyrtuar ecurinë e kësaj greve.

“Forma tjetër e protestës do të shihet në ditët në vijim. Sot këshilli drejtues i SHTU-së do të mblidhet për të parë nga afër ecurinë e kësaj greve por edhe për të marr hapat e tjerë të nevojshëm. Është kërkesë që të gjithë autobusët t’i drejtohen qeverisë për të protestuar për mospërmbushje të kësaj marrëveshje”, ka përfunduar Kurtishaj.