Njoftim për tatimpagues nga ATK-ja

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar sot se nga data 1 prill, ajo do ta funksionalizojë edhe një shërbim të ri elektronik për tatimpaguesit e saj.
Ky institucion i shtetit, me anë të një komunikate për media tha se ATK-ja vazhdimisht është në përpjekje që të ofrojë lehtësira më të mëdha për tatimpagues.
Sipas tyre, sh1%rbimi i ri elektronik ka të bëjë me atë se përmes Sistemit Elektronik EDI tashe  tutje do të mundësohet edhe deklarimi i Tatimeve të Mbajtura në Burim duke ngarkuar edhe listën e personave të të cilëve ju është mbajtur Tatimi në Burim.
“Nga data 01 prill 2021, deklarimi i Tatimeve të Mbajtura në Burim (TMB) përmes formularit “WR – PASQYRA MUJORE E MBAJTJES NË BURIM DHE PAGESËS SË TATIMIT NË INTERES, TË DREJTA PRONËSORE, QIRA, FITORE NË LOTARI DHE LOJRA TË FATIT DHE PERSONIN JO-REZIDENT” do të bëhet vetëm në mënyrë elektronike”, thuhet në njoftim.
Për të deklaruar Tatimet e Mbajtura në Burim (TMB) përmes formularit “WR”, tatimpaguesi paraprakisht duhet të plotësojë dhe ngarkojë listën e personave për të cilët ka mbajtur Tatimin në Burim, ndërsa pas ngarkimit të listës dhe validimeve të bëra nga sistemi, deklarata tatimore plotësohet nga vet Sistemi Elektronik EDI dhe mundësohet gjenerimi i fletëpagesës së tatimit.
Më konkretisht, tatimpaguesi duhet të plotësoj listë-pagesën në formatin e dizajnuar nga ATK-ja, e cila përfshinë informatat, si:
• NUI/Numrin Fiskal/Numrin personal;
• Emrin e biznesit/Emrin dhe Mbiemrin e personit;
• Interesin bruto të paguar;
• Të drejtat pronësore të paguara;
• Fitoret bruto në lotari të paguara;
• Qiranë bruto të paguar;
• Pagesën bruto për personin jo-rezident;
• Pagesën bruto për personin fizik jo-afarist (kategori të veçanta);
• Hapësirën e objektit të marr me qira në metra katror (m2); dhe
• Vlerën bruto të qirasë mujore.
“Deklarimi i formularit “WR” për periudhën mars/2021 e tutje do të bëhet vetëm në mënyrë elektronike”, njoftojnë tutje nga ATK-ja.
Për plotësimin e saktë të listë-pagesës, ATK thotë se ka përgatitur “Udhëzuesin për plotësimin e Listë-pagesës”, të cilin mund ta gjeni në dritaren përkatëse ku edhe bëhet deklarimi, andaj ata sugjerojnë që ta shfletoni udhëzuesin paraprakisht. /Buletini Ekonomik/