Njoftim shumë me rëndësi nga ATK për bizneset

Administrata Tatimore e Kosovës, njofton të gjithë tatimpaguesit se në bazë të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, kërkohet dokumentimi i origjinës së mallit.

Ata thonë se aktivitetet e tyre në vazhdimësi do të përqendrohen pikërisht te tatimpaguesit, të cilët posedojnë mallra pa origjinë.

Nëpërmjet një postimi në facebook ata thonë se secili tatimpagues duhet të ofrojë dokumentacionin mbështetës, i cili arsyeton prejardhjen e mallit si në vendndodhjen, apo vendndodhjet e tatimpaguesit, ashtu edhe për mallrat në qarkullim jashtë vendndodhjes së tatimpaguesit.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, bëhët e ditur se secili tatimpagues duhet të dokumentojë të gjitha mallrat nga koha e pranimit (qoftë përmes importimit, blerjes, shkëmbimit apo mënyrave tjera) deri sa ato të jenë shitur apo ndryshe të jenë sistemuar, përfshirë dokumentacionin e shitjes apo sistemim tjetër.

“ATK, inkurajon të gjithë tatimpaguesit që t’i përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën ATK, do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor” thuhet në njoftimin e tyre.

Gjithashtu theksohet se me kryerjen e detyrimeve tatimore, qytetarët do të kontribuojnë direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenies shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore./Buletini Ekonomik/