OAK realizoi sesion informues me furnitorët e energjisë elektrike

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) realizoi Sesion Informues me ndërmarrjet e licencuara për furnizim me energjinë elektrike dhe bizneset anëtare.

Qëllim i këtij takimi ishte diskutimi për hapjen e tregut të energjisë elektrike, e cila është bërë sipas Ligjit 05/L-085.

Sipas nenit 37, paragrafi 2 të këtij ligji theksohet që “Të drejtën e furnizimit si shërbim universal e gëzojnë të gjithë konsumatorët familjar dhe jo familjar që kanë qarkullim vjetor jo më shumë se 10 milionë euro, ose jo më shumë se 50 punonjës”.

Reklama e sponzorizuar

Kryetari i Bordit të OAK-ut Skënder Krasniqi falënderoi anëtarët dhe ndërmarrjet e licencuara për furnizim me energji elektrike që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për këtë takim, duke shtuar që nevoja për organizimin e tij erdhi si rrjedhojë e konfuzitetit të krijuar tek bizneset pasi kanë pranuar njoftimin për hapje të tregut të energjisë elektrike.

Sipas informatave nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), hapja e tregut të energjisë është bërë në të gjitha shtetet e rajonit, ndërsa Kosova e ka prolonguar si rezultat i situatës me pandeminë dhe ky ndryshim është vetëm në aspektin komercial, u tha ndër të tjera gjatë këtij takimi.

Ndërsa, sekretari i bordit Diamant Elshani theksoi që ky ndryshim iu mundëson bizneseve që të negociojnë kushtet e marrëveshjes për furnizim, pra çmimin që do të paguajnë për njësitë e shfrytëzuara.

Në mënyrë që bizneset të informohen më detajisht për mënyrën se si do të funksionojë tregu i hapur këtë periudhë dhe ofertat që furnitorët e energjisë kanë për bizneset, në takim prezantuan Arianit Zeqiri nga “Jaha Company” SH.P.K., Ilirjana Hajdari dhe Florenta Islami nga “KES|CO” J.S.C., Rinor Klaiqi nga “Enerco” SH.P.K. dhe Fatbardha Bytyqi nga “Future Energy Trading and Exchange Dynamics” SH.P.K, të cilët kishin rastin që të japin detaje rreth mënyrës së funksionimit dhe kapaciteteve të tyre për furnizim.

Në kuadër të këtij takimi u nda edhe pjesa e diskutimit të hapur ku pjesëmarrësit kishin mundësinë që të diskutojnë më detajisht për çështjet me interes dhe të informohen lidhur me pyetjet konkrete që ata kishin për furnizimin me energji.