Kompania që dikur ka mbrojtur vëllezërit Blerim dhe Shkëlqim Devolli, të akuzuar për korrupsion për marrëveshjen me Telekomin, do ta përfaqësojë Kosovën në Arbitrazh. Këtë do ta bëjë në procesin gjyqësor të cilin e ka hapur pikërisht Blerim Devolli, pronar i Dardafonit, që e ka paditur Kosovën për shkëputje të marrëveshjes me Telekomin. Në literaturën juridike një gjë e tillë nuk vlerësohet si sjellje etike
25 milionë euro përmes Arbitrazhit Ndërkombëtar po i kërkon Blerim Devolli nga shteti i Kosovës, si dëmshpërblim që dy vjet më herët nuk i është vazhduar kontrata me Telekomin.
Për mbrojtjen ligjore, Ministria e Drejtësisë i ka përfunduar procedurat e përzgjedhjes së kompanisë që do ta përfaqësojë Kosovën kundër Dardafonit të Blerim Devollit.
Një gjë e tillë dëshmohet në dokumentet që ka siguruar KOHA.
Squire Patton Bogs është rekomanduar nga komisioni vlerësues si fitues i tenderit. Vlera e ofertës së kësaj kompanie është mbi gjysmë milioni euro. E njëjta kompani do ta përfaqësojë Kosovën edhe në dy raste të tjera që kanë të bëjnë me mikrofinanca e energjetikë.
Por, përderisa kësaj radhe mund të paguhet nga Kosova për mbrojtje të interesave të Qeverisë, për aferën e kontratës së kompanisë Dardafon me Telekomin, vite më parë, kishte qenë e pozicionuar ndryshe.
EULEX-i në vitin 2011 pati ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Devolli e zyrtarëve të atëhershëm të Telekomit për marrëveshjen për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (ORRMV) në mes të PTK-së dhe Dardafonit.
Patton Bogs, përmes avokatëve të tyre, në vitin 2013 ka mbrojtur vëllezërit Shkëlqim e Blerim Devolli, të cilët atëkohë nga EULEX-i akuzoheshin për mashtrim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të besimit, falsifikim të dokumenteve, raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve dhe krim të organizuar pikërisht për marrëveshjen që tash ka përfunduar në Arbitrazh për të dytën herë.
KOHA i ka drejtuar pyetje Ministrisë së Drejtësisë qysh prej ditës së hënë, por ata nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës.
Se Patton Bogs ka pasur raporte kontraktuale me vëllezërit Devolli e dëshmon edhe një deklaratë e vitit 2013, kur Blerim e Shkëlqim Devolli ishin liruar nga akuzat.
Në këtë deklaratë, kompania që tash do t’i mbrojë argumentet pro marrëveshjes së Devollëve me Telekomin pohonte që e njëjta marrëveshje i kishte sjellë miliona euro PTK-së.
“Në rastin Blerim Devolli, et. al., në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Kosovë, Patton Boggs përfaqësoi vëllezërit Blerim dhe Shkëlqim Devolli të ‘Devolli Group’. Në vitin 2008, konsorciumi i Devolli Group dhe Unitel Company nga Nju Jorku krijuan një kompani, Dardafone, e cila mori një licencë nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit të Kosovës (ART), për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (ORRMV). Ata pastaj negociuan një kontratë me PTK-në, për të funksionuar si Operator i Rrjetit Mobil Virtual (ORRMV), duke përdorur infrastrukturën e PTK-së dhe për t’i ndarë të ardhurat me PTK-në. Mosmarrëveshjet midis pronarëve të Dardafone rezultuan në një zgjidhje civile në të cilën Devolli bleu aksionet e Unitel-it në operatorin virtual. Ndërkohë, operatori virtual ZMobile shpejt u bë një lojtar thelbësor në tregun e telekomunikacionit të Kosovës dhe siguroi miliona euro të ardhura për PTK-në”, thuhet në këtë deklaratë.
Në këtë lajm thuhet së burimi është kompania Patton Bogs, por nga faqja e kësaj kompanie tashmë lajmi është fshirë ose larguar.
KOHA në fillim të javës i ka dërguar pyetje kësaj kompanie, por ata nuk janë përgjigjur ende.
Situata e tillë, kur një kompani herë e mbron njërën palë e herë palën tjetër, në një çështje që në thelb është e njëjtë, është e njohur në fushën juridike. Profesori Stephen Gillers, që për rreth katër dekada ishte pjesë e Universitetit të Nju Jorkut, në disa libra autorialë dhe artikuj, këtë situatë e përshkruan si situatë tipike ku avokati ose zyra e avokatisë ndalohet të përfaqësojë.
“Më i dukshëm është rregulli, i memorizuar tani në DR 5-108 (a) (1) i Kodit të Përgjegjësisë Profesionale të Nju Jorkut, që ndalon një avokat të pranojë një çështje që është materialisht e dëmshme për interesat e një ish-klienti nëse çështja është e njëjtë ose e lidhur në mënyrë thelbësore me një çështje që avokati (ose, sipas DR 5-105 (D), një avokat tjetër nga firma e tij/saj) e kanë trajtuar për ish-klientin”, thuhet në këtë artikull të profesorit Gillers.
Telekomi dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009, me të cilën kompania e Devollëve bëhej operator virtual i Telekomit.
Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh.
Si rrjedhojë, 12 vjet pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi prej rreth 30 milionë eurosh ndaj ZMobile, një pjesë e të cilit është paguar. Pas mosvazhdimit të kontratës, tani kjo kompani po synon që nga Kosova t’i marrë edhe 25 milionë euro pikërisht për këtë arsye.