Rrugë të pashtruara, gropa, mungesë të rrjetit të kanalizimit janë disa nga problemet më të mëdha në Prishtinë.
Përderisa banorët e kryeqytetit po përballen çdo ditë me këto parregullsi, Komuna e Prishtinës ka lënë pa shfrytëzuar mbi 34 milionë euro të buxhetit të vitit të kaluar. Rreth 27 prej tyre janë nga investimet kapitale, ndërsa mbi 6 milionë të parapara për subvencione.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur ditën e martë, Kuvendi Komunal ka miratuar unanimisht që këto mjete të kalojnë në buxhetin e vitit 2021.
Edhe pse miliona euro kanë mbetur pa u shfrytëzuar nga viti i kaluar, Komuna e Prishtinës do të nisë procesin e marrjes së një kredie të re.
Në po këtë seancë u mor vendimi edhe për autorizim të marrjes së një borxhi prej 5 milionë eurosh nga BERZH për financimin e masave të efiçiencës së energjisë në 47 ndërtesa komunale.
Megjithëse kishte kritika, asamblistët e Vetëvendosjes thonë se shumë nga drejtorët e departamenteve dhe vetë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk ishin pjesë kur u shqyrtuar propozim vendim për kalimin e buxhetit të mbetur nga viti i kaluar në atë të këtij viti.
“Kritikat tona ishin te bartja e buxhetit se pse kanë mbetur këto mjete. Shumica e drejtorëve nuk ishin fare në mbledhje dhe gjatë kësaj pike nuk ka marrë pjesë as kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti dhe e gjitha kjo tregon seriozitetin e tyre”, ka thënë Egzon Azemi, asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë.
Përkundër pakënaqësive rreth menaxhimit të buxhetit, Azemi tregon pse e kanë miratuar këtë pikë.
“Ne e votuam me gjithë vërejtjet e shumta që kishim për rishikimin për shkak të mos bëhemi edhe ne pengesë e projekteve që duhet të përfundojnë sa më parë në Prishtinë… Vetë shuma flet se sa i madh është dështimi, të barten 34 milionë euro të barten nga viti në vit thua që në Prishtinë nuk ke ku t’i investosh e duke e ditur se në Prishtinë ka aq shumë probleme elementare kemi në kryeqytet dhe kjo flet se dështimi është jashtëzakonisht i madh”, ka thënë Azemi.
Ndërsa, Agim Gashi këshilltar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës arsyeton qeverisjen Ahmeti duke thënë se shumica e këtyre mjeteve kanë mbetur nga projektet të cilat kanë nisur por nuk kanë arrit të përfundojnë.
Qëndrim Arifi nga INPO, thotë se ky është një problem që e ka përcjellë çdo vit Shpend Ahmetin dhe kjo tregon joprofesionalizëm.
“27 milionë janë prej investimeve kapitale, prej projekteve që qytetarët e Komunës së Prishtinës do të duhej t’i gëzonin gjatë vitit 2020 dhe nuk kanë mundur të i shfrytëzojnë për arsye të neglizhencës dhe jo profesionalizmit të Komunës së Prishtinës. Kjo anomali e ka përcjellë Shpend Ahmetin çdo vit. Zakonisht kemi bartje dhe këto mbetje sa rriten nga viti në vit. Vitin e kaluar kemi pasur më pak tani kemi më shumë, pra 34 milionë”, ka thënë Arifi.
Për vitin 2020 komuna ka arritur të shfrytëzojë vetëm 60 për qind total të buxhetit së bashku me grandin për kryeqytetin. Mbi 6 milionë euro të parapara për subvencionet kanë mbetur të pashfrytëzuara.