Shoqata e Qumështoreve të Kosovës përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimet e saja dhe të fermerëve vendas se disa përpunues të qumështit janë duke i shantazhuar dhe kërcënuar pikat grumbulluese duke mos ua pranuar qumështin për shkak të kundërshtimit të vajit kancerogjen të palmës të ndaluar nga Qeveria.
Ky vaj ishte ndaluar për import edhe nga Ministria e Industrisë vitin e kaluar, për shkak se kishte veti kancerogjene dhe si i tillë dëmtonte shëndetin e qytetarëve. Sipas shumë studimeve ndërkombëtare, vaji i palmës lidhet me shumë probleme të zemrës për shkak të përmbajtjes së nivelit të lartë të yndyrës.
Nga kjo shoqatë thonë se vaji i palmës është duke shkatërruar industrinë e Qumështit dhe sidomos fermat e Kosovës duke mbyllur kështu mijëra vende pune dhe duke detyruar të rinjtë dhe të rejat që të ikin në mërgim, dhe duke i detyruar që në këtë mënyrë t’ua kthejnë shpinën investimeve, mundit dhe djersës së tyre.
Qumështarët u kanë bërë thirrje të gjithë përpunuesve që të ndalin kërcënimet dhe shantazhet sepse liria e shprehjes dhe lëvizjes janë të garantuara në shtetin tonë.
“Në vend që të ju dalin në mbrojtje prodhuesve vendor të cilët me vuajtje dhe sakrifica të pashembullta po mundohen të mbijetojnë, ata kan zgjedhur frikësimin e tyre”, thuhet në komunikatë.
Vetëm këto ditë janë rreth 30.000 litra qumësht që nuk po grumbullohen nga përpunuesit, thonë nga shoqata, dhe kjo sasi pritet ende të rritet ditëve në vijim dhe si rrjedhojë kjo gjendje mund të dërgojë në bankrotim mijëra fermerë në vend.
“Kjo gjendje do të duhej të trajtohej si alarmante edhe nga përpunuesit e tillë, sidoqoftë ne presim reagime dhe veprime dinjitoze nga Qeveria e re e sapo formuar dhe keto veprime i presim sa më shpejtë që është e mundur. I kujtojmë perpunuesit e tillë se nëse vazhdojnë me lojêra të tilla keto kërcnime do të bëhen publike dhe pastaj shpresojmë të arrijnë aty ku e kan vendin”, përfundon njoftimi.
Ndryshe, Shoqata e Qumështoreve të Kosovës edhe gjatë vitit të kaluar kishin protestuar duke kërkuar ndalimin e importit të këtij vaji dhe që shteti t’u japë hapësirë produkteve vendore. Të njëjtit ishin detyruar që të derdhnin sasi të mëdha të qumështit në lumenj, shkaku i mosgrumbullimit të tij nga përpunuesit./Buletini Ekonomik/