Procesi i renovimit të objektit, ku do të duhej të hetoheshin krimet më serioze, dyshohet së është i përfshirë në shkelje të shumta.
Për një periudhë më të shkurtër së dy vjet, dy herë është hapur tenderi për “Renovimin e Prokurorisë Speciale”.
Përderisa vlera e tenderit të hapur në vitin 2018 ishte rreth 270 mijë euro, në tenderin e iniciuar në fund të vitit 2019 vlera e tenderit ishte mbi 800 mijë euro.
Të dy tenderët që kapin vlerën rreth një milion euro janë fituar nga kompania e njëjtë “NBT-ING”.
Në tenderin e parë kryesisht ishte paraparë ndërrimi i klimave dhe dritareve. Vetëm klimat kushtonin 70 mijë euro. Më pas u hap tender për ndërrimin e tyre.
Por në tenderin e më pak së një viti me vonë parashihet demolomi i klimave dhe ruajtja në një vend të sigurt deri në kryerjen e renovimit e me pas edhe rimontimi i tyre.
Në një pikë tjetër të së njëjtës kontratë parashihet kontraktimi i ventilo-konvektorëve, që ka të bëjë me klimatizim qendror.
KOHA ka konsultuar ekspertë që merren me çështje të klimatizimit. Ata kanë thënë se ventilo-konvektorët janë për klimatizim qendror e jo për klimat çfarë i ka montuar në vitin 2019 Prokuroria Speciale.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka konfirmuar që klimat e kontraktuara në vitin 2018 nuk janë kompatibile me sistemin e planifikuar të klimatizimit në tenderin e dytë.
Megjithatë, kanë thënë së investimi në to nuk ka shkuar huq.
“Klimat të cilat janë vendosur në kontratën e vitit 2018 janë zëvendësuar me sistemin e tërësishëm qendror për ngrohje dhe ftohje. Më 31.10.2019 nga MPB-ja është bërë kërkesa për marrjen në shfrytëzim të klimave së bashku me njësitë e jashtme. Pas pranimit të kërkesës është formuar komisioni për tjetërsimin e pasurisë jofinanciare dhe të njëjtit kanë rekomanduar që gjithsej 96 klima të transferohen në dobi të MPB-së dhe 45 prej tyre të shfrytëzohen në dobi të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Më 29.9.2020 është bërë dorëzim-pranimi i klimave nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, ka thënë Astrit Kolaj nga KPK-ja.
Përveç këtyre dyshimeve, tenderët për renovimin e Prokurorisë Speciale janë duke u hetuar edhe për shkelje të tjera.
Në dhjetorin e vitit 2020, Policia e Kosovës pati arrestuar Tahir Sopen, pronar i kompanisë “NBT-ING”.
Ai dyshohet për mashtrim, falsifikim, dhe keqpërdorim në prokurim publik.