Punëtorët e Lotarisë së Kosovës të hënën protestojnë para Qeverisë

Sindikata e Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës ka njoftuar se punëtorët e Lotarisë do të protestojnë të hënën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Kërkesa e tyre do të jetë pagesa e pagave nga ana e Qeverisë si aksionare e Lotarisë së Kosovës.

Sindikata nëpërmjet një njoftimi, paralajmëron se do të vazhdohet me protesta gjatë ditëve të punës deri në përmbushjen e kërkesës së punëtorëve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka premtuar Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës se do të gjejë një zgjidhje për punëtorët tanë, mirëpo një premtim i tillë ende nuk është përmbushur. Punëtorët tanë momentalisht gjenden në një situatë të mjerueshme përderisa u bë gati një vit që s’kanë pranuar pagë, e sidomos në përballjen me luftimin e pandemisë Covid-19, që edhe më tepër e ka rënduar gjendjen e tyre.”, thuhet në njoftimin e tyre, raporton KP.

Reklama e sponzorizuar

Protesta do të nisë në orën 11:00.

Në dhjetor, Qeveria Hoti kishte vendosur për rithemelimin e Lotarisë së Kosovës, me arsyetimin se 62 punëtorë kishin mbetur pa punë pasi në prill të vitit 2019 Kuvendi kishte miratuar Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit. Por në Kuvend projektligji s’kishte marrë përkrahjen e deputetëve dhe me shpërndarjen e tij, ai ka ngelur pa miratuar. Në korrik të atij viti punëtorët kishin protestuar me kërkesë për miratimin e Ligjit për Lotarinë.