Punëtorët e Postës ankohen për pagat e shkurtit, kërkojnë mbështetjen e Qeverisë

Ndërmarrja publike "Posta e Kosovës"

Përmes një letre drejtuar kryeministrit në detyrë dhe ministrave të Ekonomisë dhe të Financave, Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Postës së Kosovës ka kërkuar ndihmën e autoriteteve për t’i ndihmuar punëtorëve të ndërmarrjes.

Kjo sindikatë ka thënë se punëtorët e Postës nuk i kanë marrë ende pagat e muajit shkurt, teksa në letrën e dërguar të martën i janë drejtuar Qeverisë me akuza se “nuk pati vullnet për ta ndihmuar Postën, që është aset ku jeni aksionar (pronar).

Në këtë letër, punëtorët e Postës kanë përmendur Shërbimin Universal Postar, që sipas tyre, po i krijon humbje financiare Postës, por që me ligjin për Shërbimet Postare, humbjet duhet të mbulohen nga Qeveria.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë letër, punëtorët po ashtu kanë thënë se ka marrë edhe vendimin e përmbaruesit privat për mbulimin e SHUP-it, vendimin e Themelores që i jep të drejtë Postës, opinionin e auditorit të Jashtëm, që konfirmon humbjet e Postës dhe vendimin e Autoritetit Rregullator të Komunikimit Elektronik që i rekomandon Qeverisë rimburësimin e humbjeve.

“Andaj i nderuar kryeministër z.Hoti këtu veç kërkohet vullnet për të na dalë në ndihmë ne punëtorëve të Postës në këtë kohë pandemie. Kërkoji nga ana juaj kryeministër Hoti që të gjeni kohë për të na pritur në takim urgjent”, thuhet në fund të letrës.