Qeverisë Kurti i kërkohet ngritja e pagës minimale në 350 euro

Euro

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës po kërkon nga Qeveria e re që paga minimale të ngritet në 350 euro.

Kryetari i kësaj sindikate Jusuf Azemi thotë se buxheti për kompensimin e punëtorëve që kanë humbur punën gjatë pandemisë duhet të dyfishohet, pasi buxheti aktual kap shumën e përgjithshme 10 milionë euro dhe se kompensimi përfshinë vetëm 11.000 punëtorë.

Ai gjithashtu kërkon përmirësimin e kushteve të punëtorëve të sektorit privat pasi mbi 50 për qind e tyre janë pa kontrata punë, gjë e cila i privon ata nga e drejta për benificione që ofron Ligji i punës dhe marrëveshja kolektive.

Reklama e sponzorizuar

“Ne mendojmë se kërkesë imediate që nuk pret kohë, është nënshkrimi i pagës minimale ,e cila duhet të jetë se paku 350 euro pasi që edhe ish-kryeministri në 52-ditshin që e ka pasur vitin e kaluar, ka premtuar që paga minimale të jetë 350 euro. Pas kësaj është edhe marrëveshja kolektive, e cila që një periudhë të gjatë ende nuk është nënshkruar dhe mbikëqyrja me një efekt shumë më të madh e punëtoreve të sektorit privat, sepse ata janë në një gjendje tepër të rënde. Ne e kemi thënë edhe më herët që qeveritë e mëhershëm nuk e kanë bërë as punën më të vogël për përmirësimin e kushteve të këtyre punëtoreve. Mbi 50 për qind e këtyre punëtorëve janë pa kontrata të pune dhe në momentin kur janë pa kontrata pune, ata nuk e gëzojnë asnjë të drejtë, asnjë benificion që ia ofron Ligji i punës dhe marrëveshja kolektive,” tha Azemi për KosovaPress.

Për më tepër, Azemi kërkon që shuma prej 900 eurove që do t’u ndahet punëtorëve që kanë humbur vendet e tyre të punës të zvogëlohet në 450 euro, ku siç thotë ai, nëse qeveria e re rrit buxhetin për kompensim, atëherë do të arrihet që të kompensohen rreth 40.000 punëtorë.

“Faktikisht, do të thotë janë rreth 60.000 punëtorë, të cilët me kontrata punë kanë humbur drejtën e tyre të punës për shkak të siç thuhet COVID-it, dhe është fakt se një 60.000 të tjerë kanë qenë pa kontrata pune dhe në shfrytëzojmë rastin që tani qeverisë të re t’i ofrojmë pasi që ish-qeveria ka ofruar vetëm 10 milionë për kompensim të këtyre punëtorëve, të cilët kanë mbetur pa vendin e tyre të punës dhe me 10 milionë të cilët i kanë ofruar sipas kritereve që i kanë caktuar do të përfitojnë rreth 11 mijë punëtorë. Megjithatë, propozimi jonë është për qeverinë e re që kjo shumë e mjeteve të dyfishohet, të jetë rreth 20 milionë euro dhe fatkeqësisht na duhet të themi që kjo shumë prej 900 euro të bie në 450 euro. Me këtë matematikë që ne po i themi, përderisa është paraparë që 11 mijë punëtorë të gëzojnë të drejtën e marrjes së 900 eurove, atëherë ne propozojmë që këta punëtorë të jenë rreth 45 mijë punëtorë me pjesën që ne po themi që të rritet shuma për 10 milionë euro dhe shuma me 900 euro të bie në 450 euro”, tha Azemi.

Azemi ka bërë të ditur se sektorët më të prekur gjatë pandemisë janë ai i ndërtimtarisë dhe gastronomisë, por edhe sektorët e tjerë nuk janë në gjendje më të mirë.

“Sektori më i prekur është ai i ndërtimtarisë, por nuk janë mbrapa edhe sektorët e tjerë, të cilët faktikisht në bazë të vendimit të Qeverisë të Kosovës, sidomos prej mars dhe prill, u ndërpre plotësisht puna e tyre dhe ata kanë mbetur mbrapa. Megjithatë, mund të themi se gjithë sektorët janë të prekur që edhe gastronomia është një pjesë bukur e madhe të cilët është e prekur nga kjo pandemia”, tha ai.

Ndryshe, gjatë qeverisjes 51-ditshe, Albin Kurti pati thënë se do të punojë në rritjen e pagës minimale në sektorin privat, e cila nuk mund të jetë nën 350 euro. Ndërsa para zgjedhjeve të 14 shkurtit, ai pati thënë se paga minimale do të jetë 250 euro, por që ajo do të përjashtohet nga tatimi në të ardhura personale.