Ringjallja e ngathët: 6 milionë euro më shumë krahasuar me janarin dhe shkurtin e 2020-s

Dy institucionet kryesore nga të cilat mbushet arka e shtetit kanë prezantuar të dhëna që flasin për rikthim të ngadaltë të normalitetit tatimor. Gjatë janarit dhe shkurtit, Dogana ka arkëtuar 9 milionë euro më shumë krahasuar me dy muajt e njëjtë të vitit të shkuar, kur ende nuk kishte mbërritur pandemia. ATK-ja nuk ka bërë tejkalim të këtillë, por ka inkasuar më shumë sesa kishte planifikuar Qeveria. Megjithëkëtë, nuk jepen zotime se do të vazhdohet me këtë trend deri në fundvit

Janari dhe shkurti kanë çuar në buxhetin e shtetit afërsisht sa dy muajt e parë të vitit të shkuar, kur në Kosovë ende nuk kishte mbërritur pandemia. Institucionet po e shohin këtë si sinjal për rikthim në normalitet tatimor.

Rreth 258 milionë euro janë arkëtuar brenda dy muajsh, por është shprehur droja se trendi mund të marr tatëpjetën nëse Qeveria vendos masa shtrënguese pas rritjes së numrit të të prekurve nga pandemia COVID-19.

Buxheti i Kosovës varet kryesisht nga Dogana. Ajo ka arkëtuar 9 milionë euro më shumë krahasuar me janarin dhe shkurtin e vitit të shkuar.

Reklama e sponzorizuar

“Rritja për momentin është 6 për qind më shumë, ose mund të themi në vlera nominale nëse në janar-shkurt të 2020-s kemi pasur 154 milionë euro të grumbulluara, sivjet kemi 163 milionë euro të grumbulluara”, thotë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës. “Kjo ka reflektuar si rritje e volumit të importeve, por në përgjithësi është rritje e ekonomisë së përgjithshme të Kosovës”.

Administrata Tatimore është burimi i dytë për mbushjen e arkës së shtetit. Në këtë institucion thonë të jetë rikthyer normaliteti tatimor, megjithëkëtë në dy muajt e parë kanë mbledhur 3 milionë euro më pak, krahasuar me janarin dhe shkurtin e 2020-s.

“Për këta dy muaj ne kemi inkasuar diku 94.9 milionë euro, që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi rënie për 2.9 milionë euro, mirëpo nëse e krahasojmë me planin e paraparë për këtë periudhë, kemi inkasuar 3.7 milionë euro më shumë”, thotë Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse e ATK-së.

Hendeku mes të hyrave dhe shpenzimeve, i projektuar në buxhetin e sivjetmë, është mbi 500 milionë euro. Ky deficit synohet të mbulohet me kredi ndërkombëtare dhe me emetimin e letrave me vlerë, meqë nuk priten tejkalime të mëdha inkasimi në kufi dhe nga ATK-ja.

Në Doganë flasin me optimizëm për shumën që do ta mbledhin në kufi.

“Ne presim që deri në fund të këtij viti të kemi rreth 1 miliard e 200 milionë të grumbulluara për Buxhetin e Kosovës”, thotë Adriatik Stavileci.

Por, kësi optimizmi nuk shprehin në ATK, pas paralajmërimit të Qeverisë për shtrëngim masash anti-COVID, nga të cilat mund të preken veçmas bizneset.

“Kjo do ta vështirësojë edhe inkasimin, pasi që me masa të shtuara do të ketë edhe mbyllje ose kufizim të operimit të bizneseve, dhe kjo do të ketë indikacion të drejtpërdrejtë edhe në të hyra”, thotë Valentina Bytyqi-Sefa. “Do të thotë, gjithçka dhe krejt parashikimet e institucionit tonë varen edhe nga rrethanat që do t’i krijojë pandemia dhe vendimet që do t’i ndërmarrë Qeveria e Republikës”.

Një pasqyrë preliminare financiare evidenton të dhënën se të hyrat tatimore gjatë vitit të shkuar ishin për 155 milionë euro më pak sesa ishin planifikuar, ndërkaq pandemia kishte shtruar nevojën për më shumë shpenzime. Pasojat vjetore të COVID-19 i kushtuan Kosovës me humbje ekonomike prej 7.2 për qind.