Qeveria e re duhet ta ketë prioritet rikuperimin e pasojave që ka shkaktuar pandemia, mirëpo kjo nuk mund të bëhet pa një plan konkret të daljes nga situata e krijuar prej pandemisë, ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi.
Rukiqi thotë se dalja nga pandemia lidhet drejtpërdrejtë me vaksinimin e popullatës, që siç thotë ai, kjo do t’i hapte rrugë lehtësirave për bizneset.
“Ne e kemi bërë të qartë që çdo Qeveri duhet ta ketë prioritet për këtë vit rikuperimin e pasojave që i ka shkaktuar pandemia në ekonomi, por kjo nuk mund të bëhet pa e pasur një plan të qartë të daljes nga pandemia se tash vendet po flasin për një dinamik dhe një kalendar të daljes nga pandemia që është i lidhur drejtpërdrejtë nga vaksinimi i popullsisë dhe paralel me këtë të ndërmerren edhe veprime që shkojnë prej lehtësirave që mund të jenë për bizneset nga falja e gjobave, pastaj lehtësirat e ndryshme tatimore dhe deri tek ndihmat direkte financiare, por paralel me këtë duhet të vazhdojnë edhe investimet kapitale sepse ekonomia ka nevojë për para që futet shpejtë në qarkullim dhe e cila mund të ndihmojë në ruajtjen e vendeve të punës”, ka thënë ai për EO.
Rukiqi ka folur edhe për pakot të cilat ishin ndarë për bizneset.
Ai ka potencuar që Qeveria duhet të merr veprime konkrete për të ju dal në ndihmë bizneseve deri kur të kthehen në normalitet.
“Edhe pse Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i ka paraparë 200 milionë euro ndihmë direkte për bizneset, kjo nuk u realizua në praktikë dhe nuk u fut as si pjesë e buxhetit. Për më shumë edhe kur u proklamua si rimëkëmbje shumica e atyre mjeteve shkuan për skema sociale por jo si ndihma direkte për bizneset dhe kjo duhet të ndryshoj, ne nuk presim vazhdimisht që të kemi kësi lloj infuzione nga Qeveria, pra në një moment biznesi kthehet në normalitet por së paku deri sa të arrihet në normalitet ose ai kthimi në pikën zero duhet edhe një veprim i Qeverisë”, ka theksuar ai.
Ndërsa ai ka thënë se sa më shpejtë duhet të krijohen institucionet vend/
“Gjithmonë institucionet stabile janë një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik dhe një lloj garancie për stabilitet i cili pastaj kthehet apo më mirë me thënë është një lloj aguri i mirë për qëndrimet në raport me investimet dhe krijimin e vendeve të punës dhe bëjmë thirrje që të ketë sa më shpejtë institucione dhe shpresojmë që kësaj here do të jenë institucione stabile që e kanë një fuqi të mjaftueshme për ndërmarrjen e reformave që janë të nevojshme në një mandat të plotë”, tha ai.