Rukiqi: Qeveria e re të falë gjobat ndaj bizneseve për shkelje të masave anti-COVID

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka kërkuar nga Qeveria në ardhje që të falë gjobat e shqiptuara ndaj bizneseve në Kosovë për shkelje të masave anti-COVID.

Rukiqi ka thënë në një konferencë për media se këto gjoba janë më të larta se ndihma financiare që Qeveria e Kosovës u ka dhënë bizneseve të cilat janë dëmtuar shumë financiarisht si pasojë e pandemisë.

“Është një nen i Ligjit për rimëkëmbje ekonomike i cili parasheh 200 milionë euro mjete për bizneset mirëpo që deri më tani janë ndarë një shumë minimale për këtë kategori”, ka thënë Rukiqi.

Reklama e sponzorizuar

Ai po ashtu ka kërkuar nga institucionet e reja që të shtyhet për vitin e ardhshëm kalimi i rreth 1000 bizneseve që janë të kyçura në rrjetin e tensionit 10 kilovat dhe 35 kilovat, në tregun e hapur të energjisë elektrike.

Rukiqi në një konferencë për media tha se ky treg është i derregulluar dhe ka çmime të larta të energjisë elektrike e që janë të papërballueshme sidomos në këtë kohë pandemie.

“Ky vendim parasheh që këta konsumatorë të dalin në tregun e hapur të energjisë të furnizohen me energji elektrike në kohën kur vetë ky treg është realisht i pastrukturar, pra ka mungesë të ofertës dhe dhe çmimet në tregun e derregulluar të energjisë elektrike do të jenë shumë më të larta për këto biznese që në numër e kalojnë shifrën 1000. Pra është një numër i madh i kompanive që duhet të ballafaqohen me këtë rritje të çmimeve të energjisë elektrike dhe kjo normalisht ndikon drejtpërdrejt në koston e produkteve sidomos do të ketë kosto të larta tek prodhuesit e veçanërisht tek ata prodhues që tani për tani janë duke eksportuar dhe të cilët shumë lehtë mund ta humbin tregun e tyre të eksportit nëse kanë rritje të energjisë elektrike në kohën kur po ballafaqohemi dhe me pasojat e pandemisë”, ka thënë Rukiqi.